Pas hapjes së studios televizive serbo-ruse “Newsmax” në Shkup, Serbia po synon zgjerimin e ndikimit në Maqedoni edhe me investimin shtesë prej 50 milionë euro në telefoninë celulare. “Telekom Serbia”, siç ka thënë drejtori i saj Vladimir Luçiç”, synon të bëhet operatori kryesor i telekomunikacionit në RMV. ASH akuzon se investimi serb është dëshmi e qartë e zgjerimit sistematik të projektit gjeopolitik të ashtuquajtur “Bota Serbe” – me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar dhe në heshtjen komode të Shkupit

Vedat MEMEDALIU

Shkup, 7 gusht – “Telekom Serbia” ka miratuar investim shtesë prej 50 milionë euro në tregun e Maqedonisë së Veriut. Këtë e ka thënë drejtori i përgjithshëm i Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiç, ndërsa ka informuar se kompania serbe tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe zgjerimi në Maqedoninë fqinje, ndërsa synon të bëhet operatori kryesor i telekomunikacionit në vend, ashtu siç është tashmë në Mal të Zi. “Në Maqedoninë e Veriut tregu është jashtëzakonisht konkurrues dhe në një nivel të lartë zhvillimi. Rrjeti optik dhe telefonia mobile janë të zhvilluara ndjeshëm, ndërsa ne jemi lojtarë të rinj. Do të përpiqemi që në të ardhmen e afërt të kontribuojmë për një konkurrencë edhe më të fortë”, ka thënë Luçiç për Newsmax Balkans në Shkup, një platformë televizive serbe që ka hapur zyrat e saj edhe në Maqedoni.

“Në përgjithësi, Ballkani Perëndimor është në një nivel të lartë të zhvillimit të infrastrukturës optike dhe mobile. Nëse shikohen disa hulumtime të realizuara nga Kombet e Bashkuara, mund të vërehet se shkalla e zhvillimit të telekomunikacionit në rajon është e lartë. Në Maqedoninë e Veriut, deri tani janë investuar 18 milionë euro si investim i huaj direkt. Jemi të përkushtuar ndaj një strategjie afatgjatë për praninë tonë në këtë treg, prandaj edhe investimet janë të rëndësishme dhe serioze”, u shpreh Luçiç, ndërsa tregon se tashmë në Maqedoni, Telekom Serbia ka 90 të punësuar me rreth 100 mijë përdorues të telefonisë celulare të Telekom Serbia.

“Kompania jonë në Maqedoninë e Veriut aktualisht ka më shumë se 100 mijë përdorues dhe 90 të punësuar. Kemi marrë nën menaxhim një pjesë të United Group në Serbi, dhe tani edhe në Maqedoni. Pjesa që më parë njihej si ‘Total TV’ tani është integruar në rrjetin tonë”, shpjegoi drejtori i Telekomit të Serbisë, ndërsa shton se tani është koha për investim shtesë prej 50 milionë eurove. “Pas katër vitesh, po nisim një cikël të ri investimesh në Maqedoninë e Veriut, me plan të investojmë 50 milionë euro. Do të punojmë në mënyrë aktive për ndërtimin e rrjetit optik dhe do të shqyrtojmë mundësinë e blerjes së operatorëve më të vegjël të kabllove, me qëllim që të vazhdojmë rritjen”, shtoi Luçiç. Ai theksoi se çdo konkurrencë është e mirëseardhur dhe se Telekom Serbia tashmë ka programet e veta të njohura sportive, kulturore, argëtuese dhe informative.

“Me kënaqësi po marr pjesë në Newsmax Balkans, media kjo që së shpejti do të shndërrohet në një platformë më të madhe, sepse planifikojmë zgjerimin e Newsmax në gjithë pjesën e Evropës Lindore. Po sjellim cilësi të re dhe ofertë të pasur mediatike. Gjithashtu, nga tetori, me kërkesë të përdoruesve, do të fillojnë tre kanale të lokalizuara të Arena Sport në gjuhën maqedonase, me qëllim që ta rrisim këtë numër në pesë kanale”, paralajmëroi Luçiç, ndërsa u bëri thirrje për kompanitë lokale nga Maqedonia të IT-së dhe startup-et, të aplikojnë për mbështetje financiare përmes platformës së Telekomit të Serbisë.

“Kemi ndihmuar tashmë 22 kompani dhe jemi shumë të interesuar të mbështesim zhvillimin e startup-eve në rajon, veçanërisht ato që merren me aplikime të inteligjencës artificiale”, tha ai. “Qëllimi ynë përfundimtar është që Telekom Serbia të bëhet zgjedhja e parë e përdoruesve në të gjitha tregjet e rajonit, ashtu siç e kemi arritur këtë në Mal të Zi. Edhe pse fillimi nuk ishte i lehtë, për dhjetë vjet arritëm të bëhemi operatori numër një në atë shtet”, përfundoi Vladimir Luçiç.

TELEFONËT NË SHKUP, SERVERËT NË BEOGRAD

Njohës të politikave rajonale thonë se, me këto investime, Telekom Serbia nuk paraqitet vetëm si një lojtar i ri në tregun maqedonas, por si një partner strategjik i Qeverisë aktuale që do të investojë afatgjatë në infrastrukturë, inovacion dhe burime njerëzore, ndërsa qëllimin e ka në zgjerimin e të ashtuquajturës “Bota Serbe” në rajon. Ambicia është e qartë – të rrit ndikimin serb dhe rus në rajon, kryesisht në Maqedoni dhe me këtë, ta ndikojë në komunikimet e qytetarëve dhe të ketë kontroll në gjithçka. “Tashmë çdo komunikim i ynë do të shkojë ‘tranzit’ përmes serverëve në Beograd”, shkruan gazetari dhe botuesi i gazetës KOHA, Arben Ratkoceri.

Serbia dihet tashmë se investime të mëdha ka edhe në energjetikën e Maqedonisë. Muaj më parë, Maqedonia dhe Serbia I kanë vënë “themelet” për lidhje të reja energjetike, konkretisht është nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi mes NOMAGAS dhe Srbijagas për ndërtimin e një interkonektori mes Klechovcës dhe Vranjës, me një gjatësi totale prej 70 kilometrash, prej të cilave 23 kilometra do të jenë në territorin maqedonas. Ministrja e Energjetikës e Maqedonisë, Sanja Bozhinovska, ka thënë se në kuadër të projektit, do të ndërtohen edhe stacione matëse në të dyja anët e kufirit, ndërsa studimet për ndikimin në mjedis tashmë kanë përfunduar me mbështetje nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

“Përmes këtyre dy lidhjeve strategjike, Maqedonia pozicionohet si një pikë e re tranziti për gaz natyror në relacionin Jug-Veri, domethënë nga gazsjellësi TAP dhe terminali LNG në Aleksandropulos drejt Serbisë dhe Evropës Qendrore, me kapacitet deri në 3 miliardë metra kub normalë në vit. Kjo është një mbështetje e drejtpërdrejtë për diversifikimin energjetik të gjithë rajonit, me një përdorim të shtuar të gazit nga burime të ndryshme”, është shprehur ministrja Bozhinovska pas nënshkrimit të Memorandumit Nomagas-Srbijagas.

“BOTA SERBE” EDHE PËRMES TELEKOM SERBIA, VLEN VAZHDON TË JETË ORTAKU I HESHTUR

Deklaratat e fundit të Drejtorit të Përgjithshëm të Telekom Serbisë, Vladimir Luçiq, për investime shtesë prej 50 milionë eurosh në Maqedoninë e Veriut, nuk janë aspak një lajm i mirë për demokracinë dhe as për sovranitetin e vendit. Ato janë dëshmi e qartë e zgjerimit sistematik të projektit gjeopolitik të ashtuquajtur “Bota Serbe” – me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar dhe në heshtjen komode të Shkupit. Kështu ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, sipas të cilës, Maqedonia e Veriut po kthehet shpejt në një koloni ekonomike dhe mediatike të Serbisë, pa asnjë reagim institucional, pa debat publik dhe pa asnjë vizion strategjik për mbrojtjen e interesit shtetërorë.

“Ajo që ndodhi në Mal të Zi po ndodh edhe këtu, para syve tanë, kapje e tregut të telekomunikacionit, pushtim i hapësirës mediatike, dhe ndërtim i infrastrukturës kritike në duart e kompanive të kontrolluara nga qeveria e Vuçiqit. Ndërkohë, qeveria VMRO-VLEN hesht si ortak i verbër, duke u marrë me iluzione reformash dhe poste drejtorësh, ndërsa ndikimi serb zgjerohet pa asnjë pengesë”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Pyetja është e qartë dhe decide: A është Telekom Serbia një investitor ekonomik neutral, apo instrument politik i Beogradit për të kontrolluar narrativën dhe rrjetin e informacionit në Maqedoninë e Veriut?, vijon më tej ASH.

“A janë paratë e Telekom Serbisë vetëm për rrjete optike dhe sinjal celular, apo edhe për propagandë të strukturuar, ndërtim influence dhe përgatitje për operacione më të thella destabilizuese në rajon? Për Aleancën për Shqiptarët, kjo nuk është vetëm çështje ekonomike – është çështje sigurie të shtetit. Kërkojmë transparencë të plotë nga qeveria për këtë investim dhe konfirmim të qartë nëse janë respektuar standardet europiane të kontrollit të investimeve strategjike. Gjithashtu, kërkojmë nga Agjencia për Siguri Kombëtare (DSK) dhe Komisioni për Parandalimin e Influencave të Huaja që të shqyrtojnë në mënyrë të thelluar përfshirjen e Telekom Serbisë në vend”, thotë ASH, ndërsa shton se VLEN nuk mund të fshihet më pas retorikës së boshatisur për “ndryshim”.

“Të qeverisësh do të thotë të mbrosh interesin kombëtar. Në këtë rast, VLEN po dështon rëndë. Po hesht kur duhet të reagojë. VLEN është mirë të kthjellohet dhe të zgjohet nga gjumi i pushtetit. Të kthehet te populli dhe të kërkojë ndjesë publike për çorientimin dhe pasivitetin që po lejojnë këtë rrëshqitje të rrezikshme të shtetit. Aleanca për Shqiptarët nuk do të jetë spektatore e këtij skenari të rrezikshëm. Ne nuk do të lejojmë që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në oazë të “Botës Serbe” në zemër të Ballkanit, dhe as që qytetarët shqiptarë të mbeten të nënshtruar nën një valë të re dominimi ekonomik, mediatik dhe politik të orkestruar nga Beogradi”.

“NEWSMAX BALKANS” E SHKUPIT, MEDIA QË LAVDËRON VUÇIÇIN DHE PUTININ

Në ndërkohë, jo vetëm nëpërmjet kanaleve sportive të Telekom Serbia, Beogradi zyrtar ka shtynë “Botën Serbe” në rajon edhe nëpërmjet platformës televizive “Newsmax Balkans”, selia e së cilës në Beograd, ndërsa tashmë ka hapur studio në Sarajevë, Shkup dhe Podgoricë. Që nga 28 korriku, kur studio në Shkup nisi punën, janë realizuar disa intervista e lajme me përfshirje direkte me gazetarë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, ndërsa raportimet kanë qenë kryesisht për marrëdhëniet Maqedoni-Serbi.

Studioja në Shkup është pjesë e emisionit rajonal “Qëndrimi i Rajonit”, ndërsa transmetohet çdo ditë pune në orën 19:30, me përmbajtje politike, ekonomike dhe sociale nga Maqedonia dhe rajoni, derisa vet emisioni nga Shkupi udhëhiqet nga gazetari Predrag Kukiq, pjesë aktuale e televizionit pro-VMRO, Alfa TV. Kjo strukturë “nga Beogradi në Shkup” ka nxitur dyshime mbi qëllimet reale të këtij rrjeti mediatik, i cili sipas njohësve të politikave serbe në rajon, shërben si kanal ndikimi për interesat serbe dhe ruse në rajon, veçanërisht në një kohë kur proceset euroatlantike në Maqedoni po përballen me rezistencë të brendshme dhe ndikim të jashtëm.

Hapja e studios së Newsmax në Shkup nuk duhet të shihet thjesht si një zgjerim i një televizioni të huaj, por si një përpjekje e koordinuar për të depërtuar në opinionin publik me narrativat e ekstremit të djathtë, proserb dhe madje edhe proruse. Në një kohë kur Maqedonia e Veriut përballet me sfida të mëdha në procesin e integrimit evropian, kthimi i vendit në një fushë betejë mediatike ku transmetohen mesazhe që relativizojnë agresionin rus dhe promovojnë aleanca të rrezikshme ideologjike, paraqet rrezik serioz për orientimin strategjik të shtetit. Prania e Newsmax në Shkup mund të shihet si një hap i vogël mediatik, por një lëvizje e madhe gjeopolitike – një sinjal alarmi që dëshmon se ndikimi i botës serbe dhe ruse nuk ndalet më vetëm në diplomaci apo energji, por tani vjen nëpërmjet ekranit – direkt në shtëpitë e qytetarëve të Maqedonisë”, thonë njohësit e politikave rajonale në vend. (koha.mk)