Ish Ministër i Jashtëm dhe zyrtar i lartë i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke akuzuar partitë shqiptare për bashkëpunim të pavetëdijshëm në skenarë që rrezikojnë të arriturat nga Marrëveshja e Ohrit.
“Nuk ka ndodhur më parë që për politika kaq haptazi antishqiptare, partitë maqedonase të përdorin si mashë partitë shqiptare për të përgatitur terrenin për ndërhyrje institucionale”, ka deklaruar Osmani në një reagim publik.
Sipas tij, po shohim një model të përsëritur dhe të rrezikshëm, me një skenar të qartë:
Fillimisht, partitë shqiptare dalin dhe kritikojnë apo relativizojnë një shtyllë të Marrëveshjes së Ohrit; Më pas, VMRO-DPMNE dhe ZNAM e përdorin këtë për të nisur sulmin institucional.
Osmani solli tre shembuj konkretë për të argumentuar këtë tezë:
1️⃣ Balancuesi – fillimisht u quajt me “defekte”, më pas u shfuqizua plotësisht;
2️⃣ Gjuha shqipe – u përkufizua si “gjuhë e përkthyer”, dhe pasoi sulmi ndaj ligjit për përdorimin e saj;
3️⃣ Regjistrimi i popullsisë – po krijohet narrativa se procesi ka qenë i manipuluar, me qëllim që nesër të delegjitimohet tërësisht nga VMRO dhe ZNAM.
“Po përgatitet një terren i rrezikshëm për të sulmuar të gjitha mekanizmat e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë. Shqiptarët duhet të jenë vigjilentë”, përfundon Osmani.
