Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga BDI, i mbështetur nga Fronti Europian, Bujar Osmani, ka publikuar një mesazh inspirues në rrjetet sociale, duke shpalosur vizionin e tij për të ardhmen e komunës.

“Duke punuar për planin e ri të Çairit modern, funksional dhe të pastër, hasëm në këtë hartë të rrallë topografike gjermane të Shkupit me Çairin nga shekulli XIX,” shkruan Osmani, duke theksuar rëndësinë e historisë në ndërtimin e së ardhmes.

Ai nënvizon se kjo nismë nuk është thjesht një projekt politik, por një mision personal për ta kthyer Çairin në një vend që nderon të kaluarën dhe ndërton me përgjegjësi të ardhmen. “Historia flet në çdo cep të qytetit dhe ne po e dëgjojmë me kujdes,” shton ai.

Osmani bën thirrje për bashkëpunim dhe përfshirje qytetare: “Bëhuni pjesë. Të ndërtojmë së bashku një Çair për të cilin brezat që vijnë do të jenë krenarë.”

Ky mesazh i tij vjen në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale, ku ai pritet të jetë një nga kandidatët më të përfolur për garën në Çair.