Fokusi kryesor i vizitës së përfaqësuesit të lartë amerikan Gabriel Eskobar duket se ka qenë takimi i tij me kryetarin e opozitares VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski. Çfarë i tha Escobar Mickoskit për ndryshimet kushtetuese, a ka dhe cilat ishin mesazhet në bisedën me kryetarin e opozitës. Dje, në intervistën për 360 gradë, Escobar përsëriti se nuk ka ardhur t’i thotë se çfarë të bëjë, por më pas i ka thënë me fjalor diplomatik se ai që mbështet rrugën euroatlantike është aleat i SHBA-së.
“Për liderin e opozitës, ajo që dua të them gjithashtu është se nuk kam ardhur për t’i thënë se çfarë të bëjë dhe nuk kam ardhur këtu për t’i diktuar kushte. Por doja ta bëja të qartë se Shtetet e Bashkuara zgjedhin si partnerë në Ballkan ata që e afrojnë rajonin me Evropën, ata që tregojnë përkushtimin e tyre ndaj NATO-së dhe që vazhdojnë luftën kundër korrupsionit. Kjo është pritshmëria jonë. Ajo që po ndodh tani me mundësitë që janë paraqitur, për avancimin e statusit kandidat të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, është pjesë e këtij procesi”, tha ndihmës sekretari i SHBA-së, Gabriel Eskobar.
Mickoski, nga ana tjetër, thotë se në takim e ka siguruar Escobarin se pse nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese sipas diktatit bullgar, por në të njëjtën kohë është për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“E vlerësoj që tani qëndrimet e VMRO-DPMNE-së i janë sqaruar personalisht zotit Eskobar. Ne jemi po aq të shqetësuar sa edhe ata për gjendjen aktuale në Maqedoni, por do t’ia lejoj vetes të them se shqetësimi ynë është shumë më i madh, sepse në fund të fundit ne jetojmë në këtë vend, në Maqedoninë tonë. Unë jam pjesë e 80 përqindëshit që duan ta shohin Maqedoninë time brenda Bashkimit Evropian, por jam edhe pjesë e 85 përqindëshit të maqedonasve që thonë se u mjaftuan me poshtërime dhe tradhti kombëtare”, sqaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Por pas kësaj, duket se Eskobar nuk i kupton qëndrimet e VMRO-DPMNE-së, e cila thotë se angazhohen për anëtarësim në BE dhe nuk i përkrah ndryshimet kushtetuese që janë parakusht për integrime evropiane.
“Epo, do të doja t’i shihja ata të shpjegojnë këtë dilemë në publik. Sepse, sinqerisht tani, duke marrë parasysh të gjitha gjërat që po ndodhin në Evropë dhe në botë, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër. Por ne e dimë se sot kemi mundësinë ta lëvizim kandidaturën e Maqedonisë së Veriut më afër dhe më shpejt se kushdo tjetër në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Eskobar.
Kryeministri Kovaçevski, ndërkaq, në intervistën e djeshme për TV21, menjëherë pas takimit me Eskobar, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë ta shohin Maqedoninë në Bashkimin Evropian.
“Përfaqësuesi i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan ta shohin Maqedoninë e Veriut si pjesë e Bashkimit Evropian. Ata ishin mbështetja jonë më e madhe kur po bëheshim pjesë e NATO-së. Mirëpo, një gjë u bë e qartë në ditën e dorëzimit të ndryshimeve kushtetuese në seancën plenare në Kuvend, ajo është se ne kemi një koalicion evropian që është për integrimin evropian të vendit, dhe ky është i njëjti koalicion që siguroi anëtarësimin e vendit në NATO dhe në anën tjetër politikën e pandryshuar të VMRO-DPMNE-së dhe të Levicës në lidhje me izolimin e shtetit”, u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Vizita e përfaqësuesit të lartë amerikan Gabriel Eskobar u komentua në publik si mundësi për të zhbllokuar proceset e ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë ndërprerë për shkak të mungesës së shumicës në Parlament.
