I përkujtojmë këta eksponentë të kësaj fushate të ndyre se nuk e kemi ndërmend të gjunjëzohemi. E dimë forcën e pushtetit që janë duke tentuar ta keqpërdorin kundër nesh, por duhet ta dinë edhe ata se çdo tentative e tyre në këtë drejtim do ta ketë përgjigjen e duhur nga ne
Nga Lirim DULLOVI
Gazeta KOHA sivjet i bën 18 vjet jetë. Ky projekt që është nisur nga dy gazetarë, unë dhe kolegu Arben Ratkoceri, deri sot ka arritur ta ruajë identitetin dhe pavarësinë e saj në të kuptuarit e demokracisë.
Gjatë këtyre viteve jemi përballur me sfida dhe presione të ndryshme që kanë pasur për qellim ngufatjen e fjalës së lirë dhe vënien nën kontroll të kësaj medie. Ne dhe kolegët tanë e dimë si i kemi tejkaluar këto presione, por me rëndësi është se sot jemi këtu ku jemi. Vazhdojmë të kultivojmë mendimin tonë të lirë që ndryshon nga politika e partive shqiptare, qoftë të pozitës, por edhe të opozitës. Jorastësisht, në të kaluarën, eksponentë të opozitës së dikurshme ishin të lirë që t’i shprehin mendimet e tyre si kolumnistë në gazetën KOHA. Për vite këtu kanë shkruar Arben Taravari, Zeqirija Ibrahimi, Bilall Kasami dhe shumë të tjerë që sot janë pjesë e koalicionit VLEN, që është pjesë e pushtetit. Eksponentë të tyre në pushtet mësojmë se u kanë dhënë urdhër të varurve të tyre që me çdo kusht të “zbulojnë” ndonjë parregullsi me qëllim mbylljen e gazetës KOHA.
Disa nga këta njerëz na kanë informuar se gjenden nën presion të vazhdueshëm nga shefat e tyre të VLEN-it për të fabrikuar fundja ndonjë rast kundër nesh. Dhe gjithë kjo, vetëm për shkak të kritikave tona të 100 ditëve të para të këtij koalicioni qeveritar.
Paralelisht me këtë, disa liderë të VLEN-it kanë angazhuar edhe banditë që në formë publike dhe private i kanë dërguar porosi kërcënuese gazetës KOHA.
I përkujtojmë këta eksponentë të kësaj fushate të ndyre se nuk e kemi ndërmend të gjunjëzohemi. E dimë forcën e pushtetit që janë duke tentuar ta keqpërdorin kundër nesh, por duhet ta dinë edhe ata se çdo tentative e tyre në këtë drejtim do ta ketë përgjigjen e duhur nga ne.
Kuptohet, në fillim do të shfrytëzojmë të gjitha format institucionale për t’u ballafaquar me këtë presion kundër gazetës KOHA, por i përkujtojmë këta frikacakë së luftës së tyre të ndyrë do t’i përgjigjemi, nëse e do nevoja – edhe me Ligjin e Kanunit.
Neve nuk na intereson shumë dorasi që mund të na dëmtojë qoftë neve personalisht, qoftë ndonjë kolegë apo edhe ndonjë anëtarë të familjeve tona. Përgjigja jonë do të jetë ndaj urdhërdhënësve politik, të cilët veçmë i kemi identifikuar. Sot, ndoshta këta qyqarë ndjehen të fuqishëm, sepse kanë pushtetin dhe bandat kriminale me vete, por duhet ta kuptojnë se nuk ua kemi frikën, dhe të jenë të sigurt se hakmarrja jonë do t’i arrijë në njërën apo formën tjetër. Stafi i gazetës KOHA për këto përpjekje të pista të pushtetit kundër nesh i ka informuar me kohë edhe përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në vend, ndërsa ditëve në vijim për këto veprime konkrete të pushtetit do të njoftohen edhe shoqatat e gazetareve dhe mediave në vend dhe jashtë.
(Autori është themelues dhe drejtor i gazetës KOHA)