Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj koalicionit VLEN, duke theksuar se qytetarët tashmë kanë folur përmes votës, dhe jo padronët politikë.
“Kur flet populli, padronët s’kanë zë. Kur voton populli, rrëzohen vasalët!”, shkruan Bexheti, duke iu referuar të dhënave nga një agjenci e njohur e hulumtimeve publike, të cilën siç nënvizon ai e favorizon dhe e financon vetë qeveria aktuale.
Sipas deputetit, rezultatet e këtij sondazhi janë tregues i qartë i rënies së besimit ndaj VLEN-it, madje edhe nga burime që ata vetë i mbështesin financiarisht. Bexheti thekson se Ali Ahmeti gëzon trefish më shumë besim se të gjithë liderët e VLEN-it së bashku, dhe kjo mbështetje, sipas tij, vjen drejtëpërdrejt nga populli.
“Vetëm BDI ka dyfish më shumë rejting se e gjithë VLEN-i bashkë!”, vijon ai, duke paralajmëruar se koha e kolltukëve po mbaron dhe se përgjegjësia për dështimet dhe dëmet ndaj shqiptarëve do të kërkohet në Tetor, përmes drejtësisë së votës.
Mesazhi përmbyllet me një thirrje të drejtpërdrejtë:
“Ai që nuk e dëgjon popullin me vesh, e dëgjon me votë! Tetori po vjen, dhe me të edhe drejtësia e popullit!”
