Shkup, 25 shtator – Një lëvizje që ka shkaktuar indinjatë te punonjësit shqiptarë, por jo edhe te udhëheqësia e Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut. Kjo e fundit ka rikthyer përdorimin ekskluziv të gjuhës maqedonase në vulat zyrtare. Nëse deri dje dokumentet vuloseshin në dy gjuhë: në maqedonisht dhe shqip, nga sot ato do të vulosen vetëm në maqedonisht.

Burime të gazetës KOHA brenda Doganave konfirmojnë se vulat e reja janë porositur dhe do të hyjnë në përdorim nga nesër.
“Është vendim i ri, i cili do të zbatohet menjëherë”, thonë burimet, duke shtuar se edhe përdorimi i shqipes në dokumentet zyrtare është reduktuar në minimum ose është eliminuar krejtësisht.
Deri vitin e kaluar, të gjitha rregulloret, njoftimet dhe dokumentet e brendshme të Doganave përgatiteshin në dy gjuhë, siç e parasheh Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Por, pas ndryshimeve në përbërjen menaxhuese, shqipja është fshirë pothuajse tërësisht, duke mbetur vetëm në dokumentet e vjetra.

Ky veprim shihet si hap prapa në respektimin e të drejtave gjuhësore dhe rrezikon të shkaktojë tensione të reja në raportet ndëretnike.
Drejtor i Doganave të Maqedonisë së Veriut është Boban Nikollovski, ndërsa zëvendësdrejtor Mustafa Dauti, kuadër i Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit. Se shqipja nuk respektohet më në këtë institucion, tregoi edhe shënimi i 33-vjetorit të Doganave, ku i gjithë manifestimi kaloi pa asnjë shenj në gjuhën shqipe. Madje, edhe doganierët e paraqitur në një video-mesazh të Doganave, ishin detyruar të flasin në maqedonisht. Dhe e gjithë kjo në sytë e zëvendësdrejtorit Dauti, i cili vazhdon të heshtë ndaj nënçmimit që i bëhet gjuhës shqipe, edhe ose e njëjta është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)
