Kohën e fundit paraqitja e arushave në më shumë lokacione në Parkun Nacional ‘Mavrova’, ku është e populluar, është një problem shumë serioz. Mesatarisht gjatë viteve të kaluara numri i arushave në territorin e Parkut Nacional ‘Mavrova’, ishte rreth 80, ndërsa tani evidencat tona thonë se numri i përgjithshëm i arushave në territorin e Parkut është 165, thotë drejtori i Parkut Nacional

Vjollca SADIKU


Dibër, 14 shtator – Kohëve të fundit në disa fshatra të komunës Mavrovë-Rostushë, edhe atë kryesisht në rajonin e Rekës së Poshtme, disa herë është shfaqur Ariu e cila në momente ka rrezikuar edhe jetën e banorëve lokal. Pas shqetësimeve të shumta dhe reagimeve të popullatës së kësaj ane, sqarime rreth aktiviteteve të ndërmarra nga ana e drejtorisë të Parkut Nacional “Mavrova”, sot për gazetën KOHA dha edhe drejtori Samir Ajdini. “Kohën e fundit paraqitja e arinjve në më shumë lokacione në Parkun Nacional ‘Mavrova’, ku është e populluar, është një problem shumë serioz. Mesatarisht gjatë viteve të kaluara numri i arushave në territorin e Parkut Nacional ‘Mavrova’, ishte rreth 80, ndërsa tani evidencat tona thonë se numri i përgjithshëm i arushave në territorin e Parkut është 165. Udhëheqësia e Pakut Nacional ‘Mavrovë’ ka ndërmarrë të gjithë obligimet ligjore dhe ka bërë kërkesë në kohë deri tek të gjithë institucionet kompetente siç janë Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Ekologjisë, inspektorin kompetent si dhe institucionet e tjera kompetente”, thotë Ajdini duke shtuar se duhet të ndërmerren masa edhe atë menjëherë me qëllim që arushat mos të sjellin rrezik.

Ne i mbrojmë florën dhe faunën por njëherit kemi obligim ta mbrojmë edhe njeriun. Është e njohur se arusha është e mbrojtur me ligj andaj duhet të ndërmarrin masa institucionet kompetente. Drejtori i Parkut Nacional “Mavrova” thekson se ka tendenca nga disa parti politike dhe mediume që situatën me arinjtë në territorin e parkut Mavrovë ta politizojnë. Ajo nuk është e lejueshme, thotë ai. Sipas tij, institucionet kompetente por edhe me pushtetin vendor është biseduar dhe janë duke ndërmarr masat me qëllim që popullata lokale të mos rrezikohet. Në kërkesat që kemi bë janë përcaktuar edhe masa të cilat janë ndërmarr dhe duhet që të ndërmerren në këtë drejtim.

Kur jemi tek problemet me arushat në fshatrat e Rekës së Poshtme, banorët lokal thonë se në fshatrat Zhirovnicë, Pricojnicë, Axhievcë, Trebishtë etj, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës është vërejt prezenca e disa arinjve. Ata kanë dëmtuar koshere bletësh por shpesh herë janë parë edhe në oborret të shtëpive. Siç është njohur në fshatin Zhirovnic tani për tani persona të panjohur vranë një ari dhe dy këlyshët e saj. Rreziku është prezent, thonë fshatarët, por ata e dinë se arusha ka mbrojtje ligjore për të mos e vrarë. Në një situatë të këtillë priten masa e institucioneve kompetente. Të theksojmë edhe faktin se mbi 300 koshere bletësh, ariu zhduku edhe në fshatrat e komunës Dibër dhe të komunës Qendër Zhupë. Bletarët të të tre komunave kanë paraqitur dhe kanë marrë ndihmat financiare, por ata thonë se edhe ditëve të fundit ariu është prezent në të tre komunat. (koha.mk)