Edhe përkundër premtimeve se me vendosjen e gypit të ri të ujësjellësit, në Strugë nuk do të ketë më problem me ujin për pije, edhe sivjet banorët dhe turistët ballafaquan me të njëjtin problem. Mungesa e ujit për pije gjatë sezonit veror në një qytet turistik është i papranueshëm thonë aktivistët.

Një kohë të gjatë u njoftua se me ndërtimin e gypit të ri do të zgjidhej ky problem për struganët, megjithatë jemi dëshmitarë se sërish ka mungesë të ujit për pije, veçanërisht në pjesët më të larta ku bie shtypja, kjo ka të bëjë me shfrytëzimin e keq ku mendojmë se një pjesë e ujit derdhet diku ka kontroll.”- deklaroi Nikolla Kukunesh, Aktivist.

Kryetari i “HOTAM” thotë se kjo vjen edhe si pasojë e sezonit veror dhe tejmbushjes së qytetit me turistë dhe mërgimtarë. Në Strugë dhe Ohër janë mbi 30-40 mijë banesa tek të cilat gjatë dimrit nuk banon askush por gjatë verës janë të mbushura, shto këtu edhe hotelet dhe shtëpitë e banimit.

Nga Ndërmarrja Publike Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Strugë thonë se edhe këtë verë kanë kryer kontrolle të shumta për të evidentuar rastet e keqpërdorimit të ujit të pijshëm për ujitje. Nga atje disa herë kanë lajmëruar se ekipet e ndërmarrjes në bashkëpunim me inspektorët komunal dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme – stacioni policor Strugë, kanë kryer kontrolle të shumta në qytet dhe rrethinë, ku kanë konstatuar disa raste të keqpërdorimit të ujit. Për rastet e tilla janë shpërndarë vërejtje tek konsumatorët, si paralajmërim i fundit, para se të vijojë edhe shqiptimi i dënimeve, në pajtim me nenin 44 – paragrafi I, i Ligjit për furnizim me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të ndotura urbane.