Jemi mësuar të dëgjojmë për funksionarë nga vendi ynë që bisedojnë me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në temën e luftës kundër korrupsionit.
Bisedime dhe diskutime në këto tema zakonisht zhvillohen me ambasadorë dhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë si dhe vendeve më të mëdha të Bashkimit Evropian, siç janë Gjermania, Franca, Italia, Spanja si kryesuese e BE-së, e kështu me radhë.

Tema të këtilla bisedohen edhe me përfaqësues të federatës Zvicerane, e cila jep mbështetje për shumë projekte të ndryshme, në mesin e të cilave ka edhe të tillë me temë fokusi luftën kundër korrupsionit.
Mirëpo deri tani nuk ka pasur, (së paku nuk na kujtohet të ketë pasur), ndonjë bisedë direkte mes ministrit të drejtësisë së Maqedonisë së Veriut dhe Prokurorit shtetëror zviceran, ku temë bisede ka qenë përforcimi i kapaciteteve për luftë kundër krimit dhe korrupsionit.

Prokurori shtetëror zviceran i gatshëm të ndihmojë RMV-në kundër “parasë së pistë të politikanëve dhe oligarkëve”

Një bisedë e tillë ka ndodhur dje, gjatë së cilës Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga ka diskutuar me prokurorin shtetëror të Zvicrës, Stefan Blatler në drejtim të përforcimit të kapaciteteve për luftë kundër krimit dhe korrupsionit, shkruan Zhurnal. Lloga për bisedën ka informuar përmes Fejsbukut të cilën e ka transmetuar Ministria e Drejtësisë.
“Forcojmë kapacitetet për luftë të pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, duke përfituar nga mbështetja dhe përvoja e miqve tanë. Njëkohësisht hapim dritare të re të marrëdhënieve shtetërore dhe profesionale me organet zvicerane të ndjekjes penale, falë rolit tonë proaktiv. Bisedë e hapur, miqësore, në besim, për pista të reja bashkëpunimi me Prokurorin e përgjithshëm të Zvicrës, Stefan Blatler. Luftë krimit të organizuar, parasë së pistë të politikanëve dhe oligarkëve, ndihmë për reformën në sistemin gjyqësor, etj. Dritarja e bashkëpunimit mbetet e hapur për takime të tjera të nivelit të lartë me homologun tim zviceran, së shpejti”, theksoi Lloga.

Nëse e lexojmë me pak vëmendje postimin e ministrit Lloga, bie në sy përdorimi i termit të ashpër “luftë kundër parasë së pistë të politikanëve dhe oligarkëve”. Një term të tillë nuk kemi hasur deri tani në bisedat që kanë zhvilluar zyrtarët e Maqedonisë së Veriut me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, e as në fjalimet e këtyre të dytëve, sado të ashpër që kanë qenë në paraqitjet e tyre dhe kritikat për ngecje në luftën kundër korrupsionit dhe ngecje të reformave në gjyqësor.

Pse pikërisht tani një bisedë mes ministrit të drejtësisë së Maqedonisë së Veriut dhe Prokurorit shtetëror zviceran?
Pyetja që parashtruam ka filluar të analizohet nga njohësit e rrethanave në vendin tonë, që bëjnë korelacion me ndryshimet kushtetuese dhe nëse është e mundur që fushata kundër këtyre ndryshimeve të financohet nga llogari sekrete bankare. Shumë prej tyre e theksojnë faktin se në Zvicër gjenden bankat më të mëdha botërore, që garantojnë diskrecion për ata që vendosin të kursejnë mjetet atje. Ky fakt e bën atraktive Zvicrën si vend që preferojnë për të kursyer pasuritë e tyre shumë biznesmenë të suksesshëm, por edhe shumë politikanë nga vende të ndryshme. Mirëpo duhet theksuar se rregullat kanë ndryshuar dhe në raste kur ka dyshime për korrupsion shtetëror, atëherë diskrecioni bie në ujë. Duke analizuar momentin e bisedës Lloga-Blatler, një pjesë e opinionistëve kanë filluar të komentojnë se kjo bisedë është mesazh për politikanë që po pengojnë ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut se do u zbulohen kontot eventuale që mund të kenë në banka zvicerane, shkruan Zhurnal.

Në Maqedoninë e Veriut nuk është dukuri e rrallë që politikanët brenda një kohe shumë të shkurtër të krijojnë pasuri enorme. Nëse organet kompetente sigruojnë dëshmi relevante që miliona të fituara në mënyrë antiligjore në vendin tonë, eventualisht janë deponuar në bankat zvicerane, atëherë bie vello e fshehtësisë dhe zbulohen me emra e mbiemra. Aq më tepër nëse sigurohen dëshmi relevante se ato iliona përdoren për të financuar politika që i shkojnë në favor Rusisë, siç është pengimi i prorcesit të anëtarësimit në BE, atëherë çshtja do të merret me seriozitet dhe me azhuritet edhe më të madh.

“Lista e Zezë” zvicerane më e dëmshme se ajo amerikane?

Kështu që ka mundësi së shpejti të kemi një “Listë të Zezë” zvicerane, pas “Listës së Zezë” amerikane. Emrat që do të gjenden në “Listën e Zezë” zvicerane do të mund të përballen me pasoja më të mëdha se sa ata që janë në “Listën e Zezë” amerikane, kuptohet nëse kanë llogari sekrete bankare në shtetin helvetik.
Por ndërkohë ditë më të vështira po vijnë edhe për emrat që gjenden dhe do të gjenden në të ardhmen, në “Listën e Zezë” amerikane, shkruan Zhurnal.

Në intervistën e fundit gjatë qëndrimit zyrtar në Shkup, zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ka bërë të në një intervistë për 360 Gradë se në listën e zezë amerikane do të ketë emra të rinj nga Maqedonia. Por jo vetëm kaq, ai ka paralajmëruar edhe sanksione, sepse kishte disa vlerësime se “figurat” që futen në “Listën e Zezë” amerikane nuk përballen me ndonjë lloj reperkusioni.
– Më lejoni të them vetëm se kjo administratë, administrata Biden, është e përkushtuar për të luftuar korrupsionin. Sepse korrupsioni është aq gërryes për shoqëritë. Ne nuk mund të bejmë paralajmërim për sanksione, por të jeni të sigurt që do të ketë”, tha Escobar.

Ai shtoi se për të gjithë rajonin, korrupsioni është një problem i madh dhe është i gëzuar që procesi i pranimit në BE i jep rëndësi shtetit të së drejtës si kusht për hyrje.
Tani që po shihet në horizont se mbështetja e vazheueshme amerikane për luftë kundër korrupsionit, mund të marë mbështetje shtesë edhe me të dhëna na Prokuria zvicerane, atëherë lufta kundër korrupsionit gjithsesi që do të jetë shumë më efikase, kkur kemi parasysh se kjo luftë në kontinuitet mbështetet edhe nga Brukseli, respektivisht nga Bashkimi Evropian.
Është me rëndësi që kjo luftë të përfshijë të gjithë të korruptuarit, e të mos kursehet askush për hir të proceseve aktuale politike, sepse një ditë herë do kurë do të ju shihet sherri./Zhurnal