Rruga Shkup-Bllacë është mes rrugëve më të frekuentuara në Maqedoninë e Veriut. Çdo ditë mijëra e mijëra qytetarë nga dy vendet shpejtojnë në drejtim të Kosovës dhe anasjelltas, por Agjencisë Shtetërore të Rrugëve nuk i shpejtohet shumë. Dal ngadalë, ose naze-naze siç thonë në Shqipëri, ekipet herë punojnë, e herë nuk punojnë. Por kjo vonesë po mer haraç të shtrenjtë. Haraç që po paguhet me jetë njerëzish, shkruan Zhurnal.
Me plotë të drejtë, ky korridor që lidh Shkupin dhe Prishtinën ka filluar të quhet rruga e vdekjes.
Jemi të gjithë dëshmitarë për tragjedinë e familjes Pacolli që ndodhi disa ditë më parë. Familja fillimisht përjetoi 24 orë tmerri duke pritur informacion për tre familjarët e zhdukur në ujërat e lumit Lepenec, që në fund të vijë edhe lajmi tragjik për vdekjen e tyre.
Ishte çështje kohe se kur do të ndodhte një aksident i atyre përmeasave. Ka mundur të ndodhë edhe shumë më herët, por duke falënderuar disiplinës së shumicës së shoferëve që qarkullojnë këtë destinacion (ka edhe përjashtime që meritojnë çdo kritikë), aksidente ka më pak se që mund të ndodhnin në një aks rrugor të lënë pas dore, siç është aksi Shkup-Bllacë, shkruan Zhurnal.
Kjo rrugë është “shtruar” e “ndërtuar” me shumë premtime boshe, por përpos premtimve 20 vjeçare nuk i plotëson as kushtet elementare.
Në mars të vitit 2021, drejtori i Ndërmarrjes Rrugët e Shtetit, Ejup Rustemi premtoi se në këtë mandat kjo rrugë do të jetë e kompletuar. “Deri në fund të mandatit kjo rrugë do të përfundojë” është shprehur Ejup Rustemi.
Që atëherë, sërish erdhën e shkuan marsi e prilli, por realizimi i premtimeve nuk vërehet askund. Po të ishte asfaltuar rruga me premtime, deri itani asfalti do të kishte arritur deri në Mitrovicë, e jo në Bllacë. Por ja që premtimet boshe I mer era, kurse rrugët e pandërtuara marin viktima të pafajshme, shkruan Zhurnal.
Rruga vende vende nuk ka as barikada mbrojtëse, që është rrezik shtesë për vozitësit, kurse është edhe rrugë që nuk ka as sinjalizim të mjaftueshëm.
Qytetarët e Maqedonisë dhe ata të Kosovës tashmë kanë humbur shpresat se rruga do rregullohet në afat më të shkurtër dhe u kanë mbetur vetëm lutjet te Zoti, sepse me premtime janë stërngopur. /Zhurnal