Nesër, më 18.03.2024, bëhet një vit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, që është aneksi i Marrëveshjes bazë të datës 27.02.2023 e nënshkruar në Bruksel drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Ohrit përmban afatet e zbatimit të Marrëveshjes bazë, e njohur si Plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit ka reaguarShërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Europian (EEAS), i cili nuk është shprehur i kënaqur me atë çfarë ka ndodhur brenda një viti.

Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur përparim shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje” – thuhet në komunikatën e EEAS.

Tutje është thënë se Marrëveshja bazë dhe aneksi i zbatimit të saj u arritën pas disa muaj negociatash intensive nën lehtësimin e Bashkimit Europian për të ndihmuar palët të bëjnë një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve.

“Në kohën e një lufte të paprecedentë në shkallë të plotë në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ishte një arritje historike. Për herë të parë gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja, palët ranë dakord për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Europian” – theksohet në komunikatë.

Shërbimi i Veprimit të Jashtëm shtoi se BE rikujtoi vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar.

Gjithashtu u tha se çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin europian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm.

“Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – europiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit” – theksohet tutje në këtë komunikatë.

EEAS tha se presin që liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership, duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme.

“Është një mundësi që nuk duhet ta humbasin” – theksohet në komunikatë.