Burime të Gazetës Express në Maqedoni të Veriut bëjnë të ditur se janë intensifekuar bisedimet për bashkimin e Aleancës për Shqiptarët, partinë e Selës dhe të Taravarit.
Sipas informacioneve që i posedon Express, bisedimet shkojnë në atë drejtim që as Ziadin Sela dhe as Arben Taravari nuk do të propozohen për kryetar të partisë nëse vjen deri te bashkimi por do të jetë një person i tretë.
Express mëson se për kryetar të ardhshëm të Aleancës për Shqiptarët mund të propozohet deputetja e zëshme e ASH-së, Ilire Dauti që gjithashtu mban postin si Sekretare e përgjithshme e ASH-së së Selës, e që ka dëshmuar që është figurë unifikuese dhe që ka pasur dhe mbajtur qëndrime konzistente që kur është ne skenën politike.
Sipas informacioneve, ndërmjetësuesi kryesor që Aleancat për Shqiptarët të bashkohen është kreu i BDI-së Ali Ahmeti.
Ditëve në vijim pritet që të mësohet edhe zyrtarisht nëse tentimet për bashkim të ASH-së do të jenë të suksesshme apo jo!
Kujtojmë që Aleanca për Shqiptarët (aso kohe LR-PDSH) u formua në vitin 2015 kur u shkëput nga PDSH-ja e Menduh Thaçit.
Aleanca për Shqiptarët qëndroi e unifikuar deri në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2024, kur Arben Taravari dhe fraksioni i tij u shkëput nga ASH-ja për t’iu bashkangjitur koalicionit VLEN, ndërsa Ziadin Sela u bë pjesë e Frontit Europian i udhëhequr nga Ali Ahmeti.
Pas vetëm 10 muaj si pjesë e ekzekutivit mes VLEN dhe VMRO-DPMNE, Taravari vendosi të del nga qeveria dhe u reshtua në opozitë.
