Frika për të denoncuar dhunën dhe mungesa e besimit tek institucionet janë shkaktarë që dhuna ndaj gruas të arrijë deri në vrasje. Femicidi, që deri vitin e kaluar nuk përcaktohej si një “krim i veçantë” në Kodin penal, po shënon rritje të rasteve çdo vit. Vetëm në muajt e parë të 2023 u regjistruan tre vrasje grash
Evis HALILI
Shkup, 12 shtator – Femicidi, si është forma më ekstreme e dhunës me bazë gjinore- “vrasja e grave sepse janë gra” shënon rritje të rasteve çdo vit. Legjislacioni vendas nuk e njihte termin femicid dhe për këtë arsye nuk e përcaktonte atë si krim të veçantë, deri vitin e kaluar kur u bë pjesë e kodit penal. Vetëm gjatë 2022 nga 7 krime brenda familjes, 6 ishin femicide dhe këtë vit janë shënuar 3 raste femicide. Frika për të denoncuar dhunën dhe mungesa e besimit tek institucionet janë shkaktarë që dhuna ndaj gruas të arrijë deri në vrasje, theksoi ministrja e Politikës dhe Punës Sociale Jovanka Trençevska gjatë konferencës “Femicidi në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor – Standardet ndërkombëtare dhe praktikën gjyqësore – prezantimi i raporteve”. Sipas ministres pavarësisht të folurit me zë të lartë, edukimit të vazhdueshëm, krahas qasjes së ndryshuar institucionale, përmirësimit të kuadrit ligjor… , realizimit të një numri të madh fushatash sensibilizuese, si ajo e muajit mars “Me zë të lartë dhe guximtar”dhuna kundër grave është ende prezente.
“Është detyra ime si ministre është të krijoj politika, që bazohen në kërkime dhe kontakte të drejtpërdrejta me ata të cilëve i adresohet kjo politikë. Prandaj përpiqemi të jemi në komunikim të drejtpërdrejtë me gratë, sepse historitë e tyre, nevojat dhe sfidat specifike janë themeli mbi të cilin duam të krijojmë dhe përshtatim sistemin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave” tha Trençevska. Ajo bëri thirrje për bashkëpunim më të madh ndërsektorial dhe marrjen në kohë të masave pas dhunës së raportuar, si nga qendrat e punës sociale ashtu edhe nga gjykatat, duke theksuar se kjo është mënyra e vetme për të reduktuar apo parandaluar femicidin, si lloji më i rëndë i dhunës ndaj grave. Në vitin 2019, nga gjithsej 5 vrasje për shkak të dhunës në familje, 3 raste kanë qenë femicide, në vitin 2020, nga 4 vrasje për shkak të dhunës në familje, 3 janë vrasje të grave, në vitin 2021, nga 5 vrasje për shkak të dhunës në familje, 3 ishin femicide.
Sipas statistikave nga Ministria e Punëve të Brendshme këtë mbi 400 gra janë viktima të dhunës në familje që nga qershori i këtij viti, këtë vit janë regjistruar 517 raste të dhunës në familje, për të cilat janë raportuar 526 autorë, prej të cilëve 476 meshkuj dhe 50 femra. 15 autorë u raportuan për përdhunim, ndërsa 19 pedofilë tentuan të ngacmojnë fëmijët nën moshën 15 vjeç. Në pesë vitet e fundit, MPB regjistroi mbi 1000 raste në vit. Në shumicën e rasteve, autorët ishin burra dhe viktima ishin gra. Në vitin 2017, numri i autorëve meshkuj të dhunës në familje ishte 850, në vitin 2018 – 953, 2019 -931, 2020-930, 2021-988 dhe 2022 – 1061 dhunues meshkuj. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë “shumica e rasteve të femicideve kryhen nga partnerët ose ish-partnerët, shpesh të paraprirë nga abuzimi, kërcënimi ose kërcënimi, dhuna seksuale ose situata në të cilat gratë kanë më pak pushtet ose më pak burime se partnerët e tyre. (koha.mk)
