Bëhet fjalë për 16 nxënës, për të cilët justifikimi zyrtar është se janë më poshtë se kuota e 60 pikëve, ndërsa katër mësuesve të lëndëve, Gjeografi, Kimi, Histori dhe Matematikë nuk iu është vazhduar kontrata. Kështu mësuesi i vetëm që jep lëndë në shqip është i Gjuhës shqipe. I kontaktuar nga gazeta “KOHA”, drejtori Ilia Popov, ka refuzuar të japë koment, duke mbyllur telefonin kur i është drejtuar pyetja
Evis HALILI
Shkup, 5 shtator – Mosvazhdimi i kontratave të punës për katër mësues të lëndëve në gjuhën shqipe dhe moslejimi i 16 nxënësve të tjerë për t’u regjistruar janë arsyet që kanë mbledhur bashkë në një protestë prindër, nxënës e mësues përpara godinës së gjimnazit “Koço Racin” në Veles. Bëhet fjalë për 16 nxënës, për të cilët justifikimi zyrtar është se janë më poshtë se kuota e 60 pikëve, ndërsa katër mësuesve të lëndëve, Gjeografi, Kimi, Histori dhe Matematikë nuk iu është vazhduar kontrata. Kështu mësuesi i vetëm që jep lëndë në shqip është i Gjuhës shqipe. I kontaktuar nga gazeta “KOHA”, drejtori Ilia Popov, ka refuzuar të japë koment, duke mbyllur telefonin kur i është drejtuar pyetja. Refuzimi për hapjen e një paralele të dytë në gjuhën shqipe është një çështje që po diskutohet prej kohësh.. Por situata ka ndryshuar të hënën.
“Sot rreth orës 14:00 janë bërë shpërndarjet e viteve të para nëpër klasat e tyre ndërsa për paralelet shqipe janë marrë vetëm nxënësit që kanë pas 60 pikë e më shumë, të tjerët, 16 nxënës, janë vendosur me një klasë të posaçme nga ana e drejtorit të gjimnazit dhe janë detyruar të nënshkruajnë dhe t’i marrin dokumentet e tyre. Nxënësit kanë reaguar që mos t’i marrin, por drejtori i ka kërcënuar nëse nuk i tërheqin, do t’i hedhin. Me prezencë të policisë së shtuar në gjimnaz dhe sigurimit të shkollës janë përjashtuar dhe nuk ju është lejuar që të hyjnë në shkollë. Gjithashtu drejtori i ka ‘këshilluar’ që të regjistrohen në shkolla të tjera në maqedonisht ku ka mungesa të nxënësve maqedonas”, deklarojnë në një reagim për gazetën mësues të shkollës.

Lidhur me mosvazhdimin e kontratës drejtoria nuk është e qartë sa i takon pozicionit të mëtejshëm të mësuesve. “Ne kishim kontratë pune deri me 31 gusht dhe ato duhet të na paraqesin automatikisht, deri sa të hapet konkursi i ri, duhet ta bëjnë menjëherë më 01.09.2023. Dje ishim në shkollë, por s’kemi mbajtur mësim. Drejtori na tha – shkoni te sekretarja dhe te agjencia për punësim që të paraqiteni si të pa punë. A do t’na thirrin ose jo s’e dimë”, thonë mësuesit.
Nga konkursi për shkollat e mesme në komunën e Velesit për regjistrimin e nxënësve në vitet e para të vitit shkollor 2023/2024 është hapur konkurs për dy paralele në gjuhën shqipe. Në dy afatet, afati i parë dhe afatin e dytë janë pranuar 22 nxënës me 60 pikë, ndërsa në afatin e tretë ka pasur interesim te madh të nxënësve për regjistrim ku sipas marrëveshjes se drejtorit me ministrin duhet që të gjithë nxënësit që janë paraqitur të pranohen në afatin e tretë. Pak ditë më parë kreu i MASH, Jeton Shaqiri shprehej se “në komunën e Velesit, ku kemi të drejtën kushtetuese për arsimin e mesëm të obligueshëm, nuk duhet t’i lëmë fëmijët të mos përfundojnë shkollimin vetëm sepse kanë pasur disa pikë më pak”. (koha.mk)
