Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i kërkoi qeverisë izraelite “të ndalojë dhe të ndryshojë” vendimet e saj të fundit mbi aktivitetin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Sekretari i Përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar nga vendimi i qeverisë izraelite për të ndryshuar procedurat e planifikimit të vendbanimeve. Ndryshimet mund të pritet të përshpejtojnë avancimin e planeve izraelite të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Kudsin Lindor”, tha në një deklaratë zëvendës zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
Ai shtoi se Sekretari i Përgjithshëm është gjithashtu thellësisht i alarmuar nga avancimi i pritshëm javën e ardhshme i mbi 4 mijë njësive të banimit nga autoritetet izraelite të planifikimit.
Guterres përsëriti se vendbanimet janë “një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare” dhe një pengesë e madhe për realizimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme me dy shtete dhe një paqe të qëndrueshme.
Ai vuri në dukje se “zgjerimi i vendbanimeve është një shtytës i rëndësishëm i tensioneve dhe dhunës, si dhe thellon nevojat humanitare”.
“Zgjerimi vërteton më tej pushtimin e Izraelit të territorit palestinez, cenon tokën dhe burimet natyrore palestineze, pengon lëvizjen e lirë të popullsisë palestineze dhe minon të drejtat legjitime të popullit palestinez për vetëvendosje dhe sovranitet”.
Guterres i kërkoi qeverisë izraelite të ndalojë dhe të ndryshojë vendimet e këtilla dhe të ndërpresë menjëherë dhe plotësisht të gjitha aktivitetet e vendbanimeve në territorin e pushtuar palestinez, duke respektuar plotësisht detyrimet e saj ligjore në këtë drejtim./alsat.mk