Nga ky reagim i ambasadorit Qehaja, duket se mungon një koordinim midis Ambasadës dhe Presidencës së Kosovës, pasi ndryshe nga ambasadori, presidentja Vjosa Osmani, në reagimin e saj, shpreh shqetësimin me, siç tha ajo, faktin që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese
Ndryshe nga të gjitha reagimet e deritanishme kundër brohoritjeve antishqiptare në Kumanovë, në ndeshjen e basketbollit Maqedoni-Kosovë, Ambasada e Kosovës në Shkup duket se skandalin që ndodhi në sytë e kryeministrit Mickoski dhe dy ministrave, e ka parë krejtësisht ndryshe. Madje, njëjtë sikurse Mickoski dhe Maksim Dimitrievski i ZNAM-it.
Në një reagim, edhe pse të vonshëm, të publikuar në profilin e ambasadës në Facebook, ambasadori Florian Qehaja e përshëndet reagimin e institucioneve dhe, siç thotë ai, qëndrimin e fuqishëm të faktorit politik shqiptar në Qeveri përkitazi me këtë çështje.
“Ambasada ka përcjellur me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me thirrjet raciste anti-shqiptare të tifozëve në një ndeshje basketbolli në Kumanovë. Duke pasur parasysh që thirrjet e tifo grupeve të tilla janë të shpeshta dhe rëndom mbretërojnë nëpër stadiume, ne dënojmë në termat më të fuqishëm këto thirrje. Vlerësojmë reagimin e kreut institucional të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qëndrimin e fuqishëm të faktorit politik shqiptar në Qeveri përkitazi me këtë çështje. Mjaft premtues është aktivizimi i prokurorisë dhe urojmë që autorët të i nënshtrohen pasojave juridike, duke krijuar kësisoji një trend të ndëshkueshmërisë për rastet e tilla”, thuhet në reagimin e shkurtër të Ambasadës së Kosovës.
Nga ky reagim i ambasadorit Qehaja, duket se mungon një koordinim midis Ambasadës dhe Presidencës së Kosovës, pasi ndryshe nga ambasadori, presidentja Vjosa Osmani, në reagimin e saj, shpreh shqetësimin me, siç tha ajo, faktin që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane.
I ashpër në reagim ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Denion Meidani, i cili ndryshe nga Qehaja, kërkoi masa të menjëhershme dhe huliganët të nxirren para drejtësisë.
Por jo vetëm tani! I çuditshëm ishte edhe reagimi i ambasadorit Qehaja edhe kur flamuri shqiptar u përdhosë nga polici maqedonas i Kumanovës natën e 28 Nëntorit – Ditën e Flamurit Kombëtar. (koha.mk)
