Qeveria Shqiptare nënshkroi të premten (1 mars) marrëveshjen për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në Azerbajxhan.

Sikurse deklaruan autoritetet, ky është një hap i ri, që hap mundësi të reja për turizmin, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin midis dy vendeve dhe forcon lidhjet ndërkombëtare.

Në Ajzerbajxhan ka një komunitetit shqiptar ortodoks Udi, një prej komuniteteve më të vjetra është pasardhës i një prej 26 fiseve shqiptare që jetonin në Kaukaz, rreth shekullit V. 4 mijë banorët e vendosur në fshatin Nij, vazhdojnë të ruajnë gjuhën, fenë, kulturën dhe traditat e të parëve të tyre.

Por nga sistemi i heqjes së vizave do të përfitojnë edhe sipërmarrësit e të dy vendeve, pas marrëveshjes së nivelit të lartë arritur midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë në vitin 2022.

Sikurse dihet projekti TAP, luan një rol të rëndësishëm në eksportet e energjisë së Azerbajxhanit dhe forcon pozicionin e tij si një nga furnizuesit kryesorë të energjisë në Europë.

Shqipëria, si pjesë e projektit TAP-it, do të përfitojë në vitin 2026 nga ky projekt, jo vetëm si vend tranzit, por edhe si përfitues i gazit natyror. Kompani shqiptare ndodhen aktualisht në bisedime dypalëshe, për të promovuar projektin pilot të gazifikimit të qytetit të Korçës.

Zyrtarët thonë se Shqipëria mirëpret vëmendjen e Azerbajxhanit në zhvillimin e projekteve rajonale të energjisë, që do të afronte edhe më tej vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sa herë flitet për marrëdhëniet ekonomike mes vendeve në fokus është gazifikimi edhe në kontekstin e projekteve të zbatuara, turizmi është një tjetër sektor ku investimet nga Azerbajxhani janë të mirëpritura. Aktualisht vendi po përjeton një rritje të shpejtë të vizitorëve dhe një vëmendje të shtuar të investimeve në sektor.

Thellimi i bashkëpunimit dhe prania e investimeve azere edhe në drejtim të turizmit janë të mirëpritura. Heqja e vizave është gjithashtu një tjetër mënyrë për të afruar më tej bizneset e të dy vendeve.