Vazhdon të mbetet pikëpyetje vendit i lirë i anëtarit në KSHZ. Opozita shqiptare kërkon që të pranohet kandidati i tyre ndërsa akuzojnë kreun e Kuvendit Talat Xhaferi se qëllimisht ka dërguar kërkesë për të propozuar kandidatë deri te të gjitha partitë politike opozitare. Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, dyshon se shumica parlamentare tenton që përmes partive, siç i quan ai satelite, t’ia pamundësojë opozitës të kenë përfaqësuesin e tyre në KSHZ.

“Kryetari i Kuvendit dhe shumica mundohen t’ia injorojnë këtë të drejtë opozitës. Sigurisht që do të krijohet një disbalans shumë i thellë. Ne vlerësojmë që kjo e drejtë detyrimisht të plotësohet sepse ligji është i qartë dhe këtë e tregon edhe vet kryetari i Kuvendit i cili nuk i ka dërguar kërkesë ASH-së. Por njëherësh i ka dërguar kërkesë dy partive tjera të cilat nuk kanë qenë pjesë e zgjedhjeve të fundit parlamentare, atë që e kërkon ligji shumë decid”, tha Bilal Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Kasami paralajmëron se nuk do të lejojnë në zgjedhje të shkohet me përbërje të pakompletuar të KSHZ-së. Ndërkohë kryeministri Dimitar Kovaçevski, bën thirrje deri te Kuvendi që të respektohen ligjet dhe përbërja e KSHZ-së të kompletohet.
“Përbërja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor është i rregulluar në përputhje me ligjin. Edhe Kuvendi edhe Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime duhet të veprojnë sipas ligjit dhe ta kompletojnë përbërjen e KSHZ-së”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministri.
Përndryshe dje kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, paralajmëroi se edhe anëtarët e VMRO-DPMNE-së mund të tërhiqen nga KSHZ nëse opozitës shqiptare nuk i jepet vendi i lirë. Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët këmbëngulë se ai vend i lirë u takon atyre me arsyetim se partitë tjera opozitare vetëm se kanë përfaqësuesit e tyre në KSHZ.
