Ideatori dhe dizajnuesi i logos së Aleanca për Shqiptarët, Florin Hasani, ka reaguar me një reflektim simbolik për përçarjet e fundit brenda partisë, duke kujtuar momentin kur para një dekade krijoi logon e saj.

Postimi i tij i plotë:

“Para një dekade, në Nëntor të vitit 2016 e kam dizajnuar logon e Aleanca për Shqiptarët.
Me vija minimale jam munduar të krijoj një simbol që në thelb përfaqëson shqiponjën dykrenare të flamurit tonë kombëtar.

Derisa fjala ‘Aleanca’ përcaktoi ngjyrat, fjala ‘Shqiptarët’ përcaktoi simbolikën, dhe si komponim mori dukjen përfundimtare.

Nuk ma kishte marrë mendja që një ditë dy krerët do të shndërroheshin në dy drejtime të kundërta politike, dy horizonte reciproke që shohin njëri-tjetrin si armik.

Edhe më pak mund ta imagjinoja se ndarja e dy krerëve një ditë do të dukej si ‘plagë e lehtë’, sepse do të vinte momenti që edhe krahët, ata në pjesën e poshtme të logos, të ndaheshin në vete.

Sot, me katër grupacione, duket sikur kam arritur realizimin e plotë grafik të logos.

Tash janë dy opcione: ose ka skaduar afati i dizajnit dhe duhet një identitet i ri, ose nëse vazhdohet me të njëjtën, të paktën jemi rahat pasi kompozicioni më shumë se katër pjesë nuk lejon.

Nganjëherë dizajni është vizion. Nganjëherë është parashikim. Në rastin e Aleancës, tragjedi.”