Kryesuesi i Këshillit Komunal në Saraj, Iljas Veseli, ka reaguar publikisht për situatën e krijuar me pagat e punëtorëve të ndërmarrjeve publike komunale, duke shprehur shqetësimin e tij për vonesat që po zgjasin tashmë afro tre muaj.

Në reagimin e tij, ai thekson se qëndrimi i tij nuk është i drejtuar kundër askujt personalisht, por kundër, siç e quan ai, pakujdesisë dhe neglizhencës institucionale. Duke iu referuar parimeve të drejtësisë, Veseli thekson se përgjegjësia nuk është çështje emocionesh, por detyrim moral ndaj qytetarëve dhe punëtorëve.

Sipas tij, përveç punëtorëve të ndërmarrjeve komunale, edhe këshilltarët komunalë ndodhen në të njëjtën situatë pa paga. Ai vlerëson se kjo nuk mund të trajtohet si një vonesë e zakonshme, por si papërgjegjësi serioze në menaxhimin e komunës.

Veseli nënvizon se punëtorët kanë familje, kredi dhe obligime të përditshme, ndërsa situata rëndohet edhe më shumë në këtë periudhë të Ramazanit, kur shpenzimet janë më të larta. Ai shton se askush nuk duhet të mbahet peng i keqmenaxhimit dhe mungesës së organizimit institucional.

Në fund, ai shtron pyetjen se sa do të vazhdojë kjo gjendje dhe kujton se, sipas tij, në periudhën kur ata kanë qenë në menaxhim, nuk ka pasur vonesa të tilla në paga, pasi përmbushja e obligimeve bazë ka qenë prioritet.

“Rrogat nuk janë luks. Janë e drejtë”, përfundon reagimin e tij kryesuesi i Këshillit Komunal.