“Ky propozim-ligj nuk kalon në seancën plenare, ju jeni të vetëdijshëm se nuk e keni Badenterin, dhe kjo është legjitimiteti. Maqedonia është një shtet multietnik me Kushtetutë. Nuk duhet të lejojmë që të krijohen situata duke u manipuluar me opinionin se BDI po përgatitet ta destabilizojë vendin”, theksoi deputeti Xhaferi
Shkup, 8 maj – Propozim ndryshimet ligjore të Ligjit për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve, me të cilin parashikohet që kompetencat e institucionit, i cili duhet të mbikëqyrë impelementimin e gjuhës shqipe nga institucionet e vendit ka shkaktuar përplasje mes deputetëve të Frontit Europian dhe atyre të VMRO-DPMNE-së në komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive në Parlament. Për Frontin Europian këto ndryshime ligjore janë kategorikisht të papranueshme, për shkak se dëmtojnë dhe dobësojnë rolin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilin në mënyrë indirekte tentohet të dëmtohet përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut.
“Ky propozim-ligj është një hap i gabuar dhe i dëmshëm për të ardhmen e këtij organi. Në vend që ky inspektorat të përmirësohet dhe të forcohet, shumica parlamentare po e çon drejt një varfërimi institucional duke i hequr çdo mundësi për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe efektive. Propozim ligji në fjalë e heq statusin e personit juridik të inspektoratit, duke e bërë thjeshtë njësi administrative brenda ministrisë së drejtësisë,domethënë qëllimi është të hiqet një ent i pavarur dhe të kthehet në një zyre të thjesht e cila do të funksionojë nën urdhrat e një ministrie, me tendencë kontrollin dhe abuzimin nga qeveritarët aktual”, theksoi deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari. Sipas saj, kjo kërcënon integritetin e punës, që Inspektorati e ka bërë deri tani. Ky ndryshim, sipas Ajdarit, pasojat i ka mbi atë se do të zvogëlojë mundësinë ata që shkelin ligjin për përdorimin e gjuhëve në vend, konkretisht për ato institucione që nuk repsektojnë përdorimin e gjuhës shqipe në nivel institucional.
Ndaj deputetes Ajdari reaguan nga VMRO-DPMNE duke thënë se BDI po tenton të manipulojë me ndjenjat etnike të shqiptarëve, duke plasuar teza të rrejshme. Deputeti i kësaj partie, Antonio Milloshoski tha se këto ndryshime vijnë pas ndryshimeve ligjore të ligjit për organet shtetërore, ku sipas tij, edhe BDI ka votuar që inspektoratet të kalojnë nën kompetenca të ministrive amë.
“Inspektoratet pa dallim nëse bëhet fjalë për inspektoratin për gjuhën shqipe apo inspektoratin për gjuhën maqedonase apo inspektoratin e tregut dhe inspektoratet tjera që funksionojnë në shtet, neve së bashku si shumicë parlamentare,por këtu edhe kolegët e BDI-së i kemi votuar ndryshimet ligjore për organet e administratës shtetërore, ku është parashikuar ulja e personave juridik dhe subjekteve, përkatësisht bashkëngjitjen e inspektorateve në ministritë amë. Kjo reformë është në kuadër të agjendës reformuese të cilin e zbaton kjo qeveri dhe qeveria e kaluar, ndërsa është e harmonizuar me p-anin për rritje të Komisionit Evropian”, theksoi Milloshoski.
Мë tej, ai theksoi se siç do të kalojë nën kompetenca të Ministrisë së Drejtësisë, inspektorati për gjuhën shqipe, po ashtu do të kalojë edhe inspektorati për gjuhën maqedonase. Deputetja Ajdari në kundër-replikën e saj tha se rregullimi i gjuhës maqedonase rregullohet krejtësisht me një ligj tjetër, ndërsa përdorimi i gjuhës shqipe rregullohet me ligj të veçantë. “Mos u mundoni të sillni të pavërteta dhe të hutoni opinionin publik”, theksoi Ajdari.
Më pas pasoi një debat maratonik mes deputetëve të VMRO-DPMNE me ato të Frontit Evropian. Deputeti Sashko Prenxhov iu bëri thirrje deputetëve të Frontit që çdo teme mos ti japin karakter etnik dhe në këtë mënyrë të mundohen të krijojnë përçarje, për shkak se sipas tij, kjo do të ketë pasoja në vet shoqërinë tonë
Deputeti i Frontit Evropian, Musa Xhaferi, tha se shumica parlamentare duke e ditur se nuk ka Badenterin dhe se ky propozim-ligj nuk i ka votat për t’u miratuar në seancë plenare, me qëllim humb kohë dhe tenton të defokusojë vëmendjen e opinionit. “Ky propozim-ligj nuk kalon në seancën plenare, ju jeni të vetëdijshëm se nuk e keni Badenterin, dhe kjo është legjitimiteti. Maqedonia është një shtet multietnik me Kushtetutë. Nuk duhet të lejojmë që të krijohen situata duke u manipuluar me opinionin se BDI po përgatitet ta destabilizojë vendin”, theksoi deputeti Xhaferi.
Përndryshe me ndryshimet e propozuara nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM, Inspektorati për përdorimin e gjuhëve – një organ që deri tani ka status juridik, do të duhet të kalojë nën kompetenca të Ministrisë së Drejtësisë. (koha.mk)