Agjencia Kombëtare e Inteligjencës e Türkiyes (MIT) goditi depo armësh dhe municionesh të grupit terrorist YPG/PKK si pjesë e operacioneve antiterroriste në veri të Sirisë, thanë burime të sigurisë, transmeton Anadolu.

MIT-i kreu një operacion në Siri, në jug të kufirit turk, pasi mësoi se sulmi i PKK/YPG-së ndaj Ministrisë së Brendshme në kryeqytetin turk Ankara të dielën e kaluar ishte planifikuar në Siri dhe se terroristët që morën pjesë në sulm u infiltruan në Türkiye nga Siria, thanë burimet në kushte anonimiteti.

Gjatë operacionit, u shkatërruan depo armësh dhe municionesh të PKK/YPG-së, së bashku me njësi të sulmeve terroriste dhe sabotazhit dhe qendra të kërkimit dhe zhvillimit.

Operacionet kundër PKK/YPG-së terroriste do të vazhdojnë derisa të arrihen qëllimet e Türkiyes, thanë burimet.

Operacionet vijnë vetëm disa ditë pas një sulmi ndaj selisë së policisë në kryeqytetin Ankara nga dy terroristë me lidhje të qarta me PKK-në, sipas Ministrisë së Brendshme. Në sulm, një terrorist hodhi veten në erë dhe tjetri u vra. Nga sulmi u plagosën lehtë dy policë turq.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK – e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.