Rafis Aliti kundër propozim-ligjit për përfaqësim: “Po shkatërrohet ajo që u ndërtua me mund dhe sakrificë!”
Shkupi – Ish-komandanti i UÇK-së nga Brigada 115 dhe ish-nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Rafis Aliti, ka reaguar fuqishëm ndaj draft-propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar si një hap prapa dhe një goditje të rëndë për Marrëveshjen e Ohrit.
Në një tekst drejtuar partive shqiptare në kuadër të VLEN-it, Aliti thekson se nuk ka nevojë për një ligj të ri me një përmbajtje të tillë, që në thelb e zvogëlon përfaqësimin në vullnet politik dhe jo si detyrim kushtetues. Ai kritikon mungesën e masave ndëshkuese dhe teknikat e qëllimshme për përjashtim të përfaqësimit në institucione kyçe si ushtria, policia dhe sektorët publikë me ndikim.
“Mos e dëmtoni atë që është ndërtuar me mund, djersë dhe sakrifica ndër vite! Nuk mund të na shesin si përparim diçka që në fakt është një grusht kundër të drejtave tona,” shkruan Aliti.
Sipas tij, mekanizma si “balancuesi”, të cilët kanë kontribuar realisht në zbatimin e amendamentit VI të Kushtetutës, janë zëvendësuar me struktura të paqarta politike që nuk kanë as kompetenca përmbajtësore e as ndikim real në përfaqësim.
“Ky ligj, me këtë përmbajtje, është hartuar nga një antishqiptare dhe nuk mund të jetë në interes të shqiptarëve,” përfundon ai.
