Gordana Jankullovska sot për herë të parë është paraqitur në zyrën e probacionit në Shkup në kuadër të lirimit me kusht, me të cilin nga sot është e lirë pas tre vjet e një muaj burg.
Lirimi i saj nga burgu “Idrizovë” vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkup, sipas të cilit ajo nuk do të kthehet në burg nëse deri në tetor të vitit 2024 nuk kryen ndonjë vepër të re penale.
Për shkak të transparencës në punën e saj, Gjykata e Apelit në Shkup në tetor të këtij viti ka njoftuar se gjatë vendimit ka marrë parasysh shkrimet e bashkangjitura në lëndë, para së gjithash të dhënat e marra nga institucioni ku e dënuara është duke e vuajtur dënimin me burg.
Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, është dërguar në INP – Idrizovë, për vuajtjen e dënimit me burg prej katër vitesh si e dënuar në rastin “Tanku”, në shtator të vitit 2020, pasi i shfrytëzoi të gjitha mjetet ligjore për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg për rastin “Tanku”.
Procedura për lirim me kusht kryhet në përputhje me Ligjin për probacion, ndërsa pas lirimit nga institucioni, i dënuari i liruar me kusht mund t’i drejtohet zyrtarit të probacionit për ndihmë dhe mbështetje.
Në kryerjen e detyrimeve të përcaktuara me vendimin për lirim me kusht, zyra kompetente vendore e probacionit e thërret personin e dënuar për intervistim, kontrollon dokumentacionin për personin e dënuar (vendimi i gjykatës, konstatimet dhe mendimet nga baza ligjore, mjeku dhe ekspertët tjerë, raportet nga Qendra për punë sociale dhe të tjera) dhe mbledh të dhëna të tjera të nevojshme për personin e dënuar nga organe, institucione dhe organizata të tjera, me kërkesë të gjykatës, paralajmëron të liruarin me kusht për pasojat e mospërmbushjes së detyrimeve të përcaktuara, mbikëqyr zbatimin e detyrimeve dhe i ofron atij ndihmën e personit të dënuar, përpilon raporte për kryerjen e detyrimeve dhe ia paraqet gjykatës që ka marrë vendimin në shkallë të parë dhe kryen punë të tjera në përputhje me ligjin.
