SPB Shkup, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “punë e papërgjegjshme në shërbim”, sipas nenit 353 paragrafi 1 të Kodit Penal të RMV-së, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike kompetente kundër V.S. dhe B.A., ish-drejtorë të përgjithshëm të Postës së Maqedonisë së Veriut, në pronësi shtetërore, Shkup.
Sipas të dhënave nga veprimet hetimore të ndërmarra, të denoncuarit gjatë vitit 2023 nuk ushtruan mbikëqyrjen e duhur mbi punën e vartësve të tyre – drejtuesit e degëve të shoqërisë, duke lejuar që të veprohet në kundërshtim me nenin 40 paragrafi 6 të Ligjit për prokurime publike, në lidhje me nenin 9, paragrafi 1, pika g të këtij ligji, ku përcaktohet se organet kontraktuese nga kjo fushë sektoriale mund të kryejnë prokurime pa procedurë për prokurime publike vetëm deri në shumën prej 24.000 euro.
Në këtë mënyrë, ata praktikisht mundësuan që të kryhen prokurime pa procedurë për prokurime publike në shumën totale prej 56.546 euro, që paraqet tejkalim të pragut të lejuar prej 24.000 euro, duke shkaktuar dëmtim të buxhetit të Postës së Maqedonisë së Veriut në shumën prej 32.546 euro.
