Paqartësia e koalicioneve për zgjedhjet parlamentare, po lë në pritje edhe emrat për kandidatë për president. Duke mos e ditur kush me kë e në cilin front do të jetë, bën që partitë ende të mos dalin me emra. E tillë është situata edhe te Aleanca për Shqiptarët, nënkryetari i së cilës Elmi Aziri, thotë se vendimi për zgjedhjet presidenciale është i kushtëzuar me vendimin për koalicion.

“Presidenti shqiptar, pa diskutim është kauzë e Aleancës për Shqiptarët. Ju e dini që edhe në 2019, ASH përkrahu kandidatin e pavarur, z.Blerim Reka. Vendimi për zgjedhjet presidenciale është i kushtëzuar me, del Aleanca vet, ose del me koalicion dhe besoj që së bashku kur të meren vendimet për zgjedhjet parlamentare, do t’i marim vendimet edhe për zgjedhjet presidenciale”, tha Elmi Aziri – nënkryetar ASH.
Situatë të ngjashme edhe në BDI. As integristët nuk kanë një vendim final sa i përket koalicionimeve, e as për kandidatin për president. Sipas deklarimeve të mëhershme të nënkryetarit të kësaj partie Bujar Osmani, BDI po shqyrton mundësitë nëse do të dalë me kandidat të vet, nëse do të dalin me kandidat konsensual me LSDM-në, apo të mbështesin një kandidat shqiptar. Kandidat shqiptar deri tani ka konfirmuar vetëm Lidhja Europian për Ndryshim, por ende nuk kanë një emër konkret. Pranojnë se kanë biseduar me ish-kreun e RDK-së, Rufi Osmanin.
“Pak është herët por mendoj që do jetë kandidat gjithëpërfshirës, inkluziv që në mënyrë dinjitoze, që do i përfaqëson si kandidat për president shqiptarët në Maqedoni.
-Është Rufi Osmani si një prej kandidatëve potencial?
-Nuk e përjashtoj, ka pasur bisedime”, tha Izet Mexhiti – kryetar i LD-së (LEN) (11.01.2024).
Ndërkohë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë vetëm se ka nisur procedurën për përzgjedhjen e kandidatit. Degët komunale të kësaj partie, duhet të propozojnë kandidatët e tyre të preferuar. Megjithatë kreu socialdemokrat nuk zbulon se cilat emra janë propozuar deri tani.
“Procedura për propozimin e kandidatëve të mundshëm për president dhe për deputetë në LSDM ka filluar. Ajo është e regulluar sipas statutit. Sapo të përfundojë atëherë do të mund të ndahen emrat me organet më të larta të partisë. Së pari shkon në organizatën lokale, më pas te organizatat komunale e më pas vjen bordi eksekutiv dhe qendror. Deri atëherë emrat zakonisht nuk komentohen sepse ka një gamë të gjerë të emrave”, pohoi dimitar Kovaçevski, kryetart i LSDM-së.
VMRO-DPMNE deri tash ka zgjedhur vetëm delegatët të cilët do të përzgjedhin kandidatët për president. Siç përflitet, si favorit janë Gordana Siljanovska Davkova dhe Aleksandar Spasenovski.
Kandidat i vetëm zyrtar deri tani është mjeku Vello Markovski, i cili do të kandidojë si i pavarur.
