Kandidati për kryetar të Komunës së Sarajit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, z. Blerant Ramadani, së bashku me kryetarin aktual të komunës, z. Iljas Veseli, zhvilluan një vizitë në fshatin Svillare ku u pritën ngrohtësisht nga banorët.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Ramadani theksoi rëndësinë e këtij takimi, duke vlerësuar lart mikpritjen dhe dashurinë e komunitetit. “Çdo buzëqeshje, çdo fjalë mirëpritëse më rikujtoi se forca e një komuniteti qëndron te njerëzit e tij, tek bujaria, solidariteti dhe dëshira për të ecur përpara”, shkroi ai.

Ai u shpreh se vizitat e tilla shërbejnë për të dëgjuar nga afër nevojat e qytetarëve dhe për të ndërtuar plane konkrete për të ardhmen. “Unë jam këtu për të dëgjuar, për të mësuar dhe për të punuar së bashku me ju, për të sjellë projekte konkrete që do ta bëjnë jetën më të lehtë dhe më të bukur për çdo familje në Svillare dhe në gjithë komunën e Sarajit”, theksoi Ramadani.

Vizita e kandidatit dhe kryetarit aktual u prit me interes nga banorët e zonës, të cilët ndanë shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen e komunës.