Pas akuzave të ngritura nga Izet Mexhiti, i cili aludoi se bashkëpunëtorët e Danella Arsovskës përkatësisht Bujar Osmani dhe Blerim Bexheti kanë qenë pas vendosjes së pllakës përkujtimore për Andon Lazov Janev Qoseto, ka reaguar ashpër këshilltarja në Qytetin e Shkupit nga radhët e BDI-së, Nezrane Rustemi Kadri.

Ajo hodhi poshtë çdo pretendim duke sqaruar se vendimi për vendosjen e pllakës nuk është marrë nga këshilltarët shqiptarë, por nga Këshilli i Qytetit të Shkupit, ku shumicën e përbën VMRO-DPMNE partia me të cilën LD e Izet Mexhitit është aktualisht në bashkëqeverisje në nivel qendror.

“Qëndrim i qartë dhe i palëkundur. Si këshilltare në Qytetin e Shkupit nga radhët e BDI-së, asnjëherë nuk kam përkrahur vendosjen e pllakës përkujtimore të Qosetos dhe vazhdoj të qëndroj në atë qëndrim,” thekson Rustemi Kadri.

Sipas saj, figura e Qosetos është e diskutueshme dhe për shumë komunitete ai simbolizon dhunën, vrasjet politike dhe mungesën e tolerancës etnike. Vendosja e një pllake përkujtimore për një figurë të tillë, në zemër të kryeqytetit, nuk kontribuon në bashkëjetesë por e dëmton atë, thotë këshilltarja.

“Mos gënjeni qytetarët! Ne shqiptarët nuk e kemi përkrahur në asnjë nga dy seancat e Këshillit. Përgjegjësinë duhet ta kërkoni aty ku realisht ndodhi votimi – te shumica e VMRO-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, ku ju jeni partnerë në pushtet,” theksoi ajo.