Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka dalë me një reagim të gjatë ku kritikoi ashpër Qeverinë Kurti 2, duke rikujtuar skandalet e fundit, raporton Gazeta Sinjali.
Një prej shqetësimeve të saja, siç shprehet në këtë reagim, është sistemi i drejtësisë, për të cilin ngriti edhe disa paralele.
“Të njëjtit që kur duan suspendojnë aktivistë, e kur duan mbrojnë verbërisht diplomatë. Dallimin, me gjasë, e bën fitimi.
Të njëjtit që sulmojnë gjykatat që i krijuan vet; që duke shkelur Kushtetutën synojnë ta kapin prokurorinë; që pas shkeljeve të vazhdueshme kushtetuese, ende gjejnë rehati të dalin e flasin për kushtetutshmëri, dhe atë, pasi kanë sharë e ofsharë pas çdo deputeti që kërkonte interpretimin kushtetues të ligjeve që tashmë u shpallën kundërkushtetuese.
Të njëjtit që duke e kontrolluar Institutin e Mjekësisë Ligjore, lejuan që të zhduken mostra, madje duke pasur brenda zyrtar që ka afërsi me ta; të njëjtit që edhe pas gati tre vitesh, kur e shkatërruan procesin e Vetingut me faj të tyre, vazhdojnë t’i referohen sikur të ishte po ai proces. Sikur të mos kishte ndryshuar gjë”, u shpreh ajo.
Deputetja Xhelili kritikoi edhe justifikimin e qeverisë për skandalet e tyre, duke i quajtur videot e tyre propagandim qesharak që në platformën “Netflix” do të përshtateshin në zhanrin komik.
“Pjesa më e dhimbshme nuk mbetet relativizimi që ja bëjnë skandaleve, as propagandimi tanimë qesharak i videove që në Netflix tanimë do të përshtateshin në zhanrin komik (tragjikomedi, madje)”, shtoi ajo.
