Përmes kësaj iniciative që e ka dërguar deri te Qyteti i Shkupit, kryetari i Butelit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Darko Kostovski, po synon që t’i kthejë emrat e mëparshëm të rrugëve në Komunën që e drejton. Kështu emrat e rrugëve “Omer Kaleshi” dhe “Adem Kastrati” do të riktheheshin në “Aleksandar Bujnov”, emri “Drane Bojaxhiu” do të rimerrte emrin “Aleksandar Turunxhov”, rruga “Isa Boletini” në “Luba Ivanoviq”, “Ernest Koliqi” do të kthehej në “Llazo Moskov” si dhe shumë rrugë të tjera, 38 gjithsej, kryesisht me figura shqiptare dhe të tjerë, do të rimerrnin emrat e vjetër, shumica me emërtimin “Butelska” me numrat e tyre përkatës.

Në arsyetimin e shkruar në iniciativë, kryetari i Butelit shprehet se vendimi i 30 marsit 2021 i Këshillit të Qytetit të Shkupit “është sjellë pa u bërë aktivitet më i gjerë përmes mbledhjes së mendimeve nga Komunat e Qytetit të Shkupit, bashkësitë urbane dhe qytetarët”. Madje vazhdon duke thënë se vendimi është në dëm të qytetarëve, se sjell harxhime shtesë se për çdo ditë merr ankesa nga qytetarët. +Para mediave Kostovski tha se kjo është nismë e ardhur nga qytetarët që po i kërkojnë emrat e vjetër dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për rrugë me emra shqiptarësh, por edhe maqedonasish dhe të tjerë.

“Nisma është qytetare, që po e mbaj në duar, e kam patjetër ta theksoj sepse e shoh se gjithnjë e më tepër flitet se ka nacionalizëm dhe të ngjashme, por të nënshkruar në këtë nismë ka edhe shqiptarë, bëhet fjalë për njerëz që kanë firmosur nga rruga “Kraishka””, tha Kostovski.

Edhe pse tha se për këtë nismë kanë nënshkruar edhe shqiptarë, Kostovski emrat e tyre nuk i tregoi, duke thënë se duhet të mbrojë të dhënat personale të tyre.
Kjo nismë e Darko Kostovskit ka ngjallur reagime të shumta. Këshilltarët shqiptarë në Komunën e Butelit thonë se nisma është e kryetarit të Butelit dhe se bëhet nga motive antishqiptare. Samir Iseni në emër të gjithë këshilltarëve i kërkoi Kostovskit të tërhiqet nga nisma, duke i kujtuar se toleranca është tipar i shkupjanëve dhe butelasve.

“Si këshilltarë shqiptarë të Butelit, dhe si qytetarë të Butelit, dhe si shqiptarë, i kërkojmë kryetarit të Komunës së Butelit Darko Kostosvski që të heqë dorë nga kjo iniciativë dhe ky propozim. Jo vetëm se kjo nuk do të kalojë në qytetin e Shkupit, ku po ashtu kemi mekanizma për ta bllokuar, por le ta dijë ai se imponimi nuk kalon. Nëse ai vazhdon me kokë në mur, shumë shpejt mund ta thyejë qafën”, tha Samir Iseni, këshilltar në Komunën e Butelit.

Me reagim doli edhe BDI nga ku thonë se VMRO-DPMNE me vetëdije shkakton jotolerancë ndëretnike në Butel. Politikat e VMRO-DPMNE-së i quajnë shoviniste dhe avantureske, që në mungesë të ofertës për jetë më të mirë, e frikësuar nga ndjekjet penale për krimet në vazhdimësi të funksionarëve të saj, dhe e etur çmendurisht për pushtet, sipas BDI, është duke sfiduar në vazhdimësi bashkëjetesën.

Izeir Memedi nga Dega e ASH-së në Butel, po ashtu e ka dënuar ashpër këtë përpjekje të Kryetarit të Butelit, ndërsa shton se nisma “nuk mund të realizohet dhe e njëjta që në fillim është e dështuar”./tv21