Pavarësisht refuzimit të Albin Kurtit, Kryeministri Edi Rama konfirmoi se sot do të jetë në Prishtinë, si pjesë e turit rajonal në prag të samitit të procesit të Berlinit. Pas mbledhjes së këshillit të ministrave, kreu i qeverisë preferoi të mos replikojë në distancë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke sqaruar në mënyrë lakonike se agjenda e tij nuk ndryshon.
Rama tha për gazetarët shkurtimisht se do të jetë i pranishëm në kryeqytetin kosovar, por nuk dha detaje nëse do të takohet apo jo me Kurtin.
“Për sa i përket vajtjes nesër (sot) në Prishtinë dhe gjithë turit, do të flas kur të jetë koha për të folur, që është nesër në Prishtinë”, – deklaroi Edi Rama.
Vetëm pak ditë pasi deklaroi të mbyllur misionin e nismës “Open Ballkan”, kryeministri Edi Rama do të nisë sot një tur në të gjitha kryeqytetet e rajonit, për të diskutuar samitin e procesit të Berlinit, i cili për herë të parë do të mbahet në Tiranë në muajin tetor. Të enjten, Rama do të takojë homologun e tij në Maqedoninë e veriut, si dhe do të shkojë në Prishtinë, ndërkohë që ditën e premte do të takojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, do të ndalojë në Sarajevë e Podgoricë.
Vizita e Ramës në Prishtinë është ndoshta më e rëndësishmja, pasi vjen në një moment tensionesh mes Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, për shkak të situatës në veriun e vendit. Nga ana tjetër, kjo vizitë e kryeministrit Rama vjen vetëm pak javë pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare.
Edhe takimi mes kryeministrit Edi Rama e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, është i pari pas tensioneve Prishtinë-Beograd, si dhe rrëmbimit të 3 policëve shqiptarë nga forcat serbe. Kryeministri Albin Kurti deklaroi dje se do të takohej me homologun e tij vetëm për mbledhjen e qeverisë.
“I kërkova të mbajmë mbledhjen e qeverisë që u anulua. Do rrijë 2 ditë dhe 1 natë në Prishtinë në kuadër të Procesit të Berlinit. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Nuk e takoj nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua”, ka thënë Kurti sot në një konferencë për mediat.
REAGIMI
Partia Demokratike e Shqipërisë i bëri dje thirrje Komunitetit Ndërkombëtar, BE, SHBA, NATO-s të ndalojnë veprimtarinë përçarëse konfliktndjellëse të Edi Ramës në rajon. Në deklaratën e saj zyrtare, theksohet se ‘lidhur me zhvillimet e fundit midis Tiranës dhe Prishtinës, Rama ka ndërtuar në Shqipëri narkoshtetin e parë, dhe të vetmin në Europë dhe pas ardhjes së tij në pushtet, ka bërë përpjekje të hapura për ndarjen e Kosovës me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç’.
“Lidhur me zhvillimet e sotme midis Tiranës dhe Prishtinës, Partia Demokratike i bën thirrje Komunitetit Ndërkombëtar, BE, SHBA, NATO-s të ndalojnë veprimtarinë përçarëse konfliktndjellëse të Edi Ramës në rajon. Ky autokrat që ka ndërtuar në Shqipëri narkoshtetin e parë, dhe të vetmin në Europë dhe pas ardhjes së tij në pushtet, ka bërë përpjekje të hapura për ndarjen e Kosovës me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç. Edi Rama, për 4 vite me radhë u bë promtor i neveritshëm dhe përçarës i rajonit, duke tundur me fanatizëm flamurin e serbomadhisë së Ballkanit të Hapur të Aleksandër Vuçiç. Ai iu kundërvu haptas, nga samiti në samit procesit të Berlinit, dhe mbrojti për 4 vite me radhë me fanatizmin e një vasali projektin e hegjemonisë serbe dhe ruse në Ballkan. Edi Rama tani vazhdon të mbjellë përçarje të rrezikshme në rajon, dhe midis shqiptarëve.
Ai kërkon që për të shpëtuar lëkurën e tij të flasë në emër të BE për procesin e Berlinit, atyre që 4 vite me radhë e mbrojtjen këtë proces nga sulmet e Ramës dhe padronit të tij, Vuçiç. Partia Demokratike deklaron se prapa qendrimive aktuale të autokratit më të korruptuar të Europës, qendron hetimi i tij i hapur penal nga Gjykata e Uashingtonit për aferën e tij të tmerrshme të korruptimit të agjentit të kundërzbulimit të FBI për Nju Jorkun, McGonigal, dhe angazhimin e këtij të fundit gjatë kohës që ishte në detyrë për shkatërrimin e Opozitës shqiptare dhe forcimin e pushtetit të Edi Ramës. PD dënon me ashpërsinë më të madhe, veprimtarinë përçarëse dhe të rrezikshme dhe konfliktndjellëse të Edi Ramës”, – thuhet në reagimin e PDSH-së.