Një tjetër çarje brenda strukturave të LD-së, pjesë e koalicionit VLEN, është bërë publike pas distancimit të një faqeje lokale nga Studeniçani.

Në një njoftim publik në rrjetet sociale, faqja “Lëvizja Studeniçan” ka bërë të ditur se nga sot nuk do të jetë më pjesë e aktiviteteve dhe angazhimeve politike të VLEN-it dhe Lëvizjes Demokratike. Në deklaratë thuhet se ky vendim vjen pas një periudhe reflektimi dhe vlerësimi të situatës së krijuar brenda strukturave politike.

Në reagim theksohet se angazhimi politik duhet të ndërtohet mbi parime, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë, duke lënë të kuptohet për pakënaqësi serioze me mënyrën e funksionimit të strukturave aktuale të VLEN-it.

“Në rrethanat e krijuara, kemi vendosur të distancohemi nga strukturat dhe aktivitetet e deritanishme politike”, thuhet në njoftim, duke konfirmuar një tërheqje të qartë nga aktivitetet e koalicionit.

Ky zhvillim shihet si një tjetër sinjal pakënaqësie brenda radhëve të VLEN-it, në një kohë kur koalicioni përballet me tensione dhe lëvizje të brendshme në disa degë lokale.

Pavarësisht largimit nga aktivitetet politike të VLEN-it dhe Lëvizjes Demokratike, faqja ka njoftuar se do të vazhdojë të mbetet aktive në informimin e publikut.

Deri tani nuk ka reagim zyrtar nga drejtuesit e VLEN-it lidhur me këtë distancim.