Kryeparlamentari Afrim Gashi, si dhe krushqit  që kanë shkuar në Kosovë, nuk janë kontrolluar fare në pikën kufitare Bllacë, thonë nga LSDM. Partia opozitare kërkon dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe akuzon se kufiri shtetëror trajtohet sikur të ishte pronë partiake e VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së.

“Kufiri me Bllacën është privatizuar tërësisht për nevojat e Gashit, me miratimin e MPB-së dhe zyrtarëve përgjegjës. Kjo cenon sigurinë e shtetit dhe kontrollin e pasagjerëve, i cili është i detyrueshëm me ligj”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Nga LSDM-ja kërkojnë që të reagojë Prokuroria Publike, si dhe kontrolli i brendshëm në MPB për të përcaktuar, siç thonë ata, nën komandën e kujt janë lejuar të kalojnë automjetet dhe personat privatë lirshëm dhe pa asnjë kontroll në pikën kufitare.

“Sipas informacioneve që denoncuesit  ia kanë dhënë LSDM-së, kufiri me Kosovën ka qenë i hapur për veturat zyrtare të Gashit, por edhe për vetura të tjera private që po ashtu kanë qenë pjesë e procesionit që ka shkuar për nusen. Të gjitha veturat e Gashit, sigurimi i tij dhe veturat private kanë kaluar pa kontroll”, tha Bogdanka Kuzeska.