Saraj, 27 Qershor 2025 – Kryetari i Këshillit Komunal të Komunës së Sarajit, Musa Alili, ka reaguar me tone të ashpra ndaj zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Demokratike në këtë komunë, pas pretendimeve dhe keqinterpretimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë së vitit 2021.

Në një postim publik, Alili e cilëson këtë manipulim si “simptomë të një sëmundjeje të thellë politike”, duke akuzuar LD-në për paaftësi kronike dhe turp institucional. Ai theksoi se çështja me banorët e Gërçecit, të cilët figurojnë si banorë të Shishevës, ka ardhur si pasojë e një ndryshimi teknik në ndarjen kadastrale, jo si pasojë e ndonjë konspiracioni politik.

“Zëvendëskryeministri Mexhiti, drejtori i NOMAGAS-it dhe njëherësh koordinatori i LD-së në Saraj, Muhamed Elmazi, si dhe deputetja Feride Haxhiu, na treguan qartë për nivelin e thellë të analfabetizmit institucional me të cilin operojnë,” theksoi Alili.

Sipas tij, këta përfaqësues “nuk përfaqësojnë askënd përveç interesave të tyre personale e familjare”, ndërsa lidhjet e tyre të afërta me VMRO-në janë tashmë të qarta për të gjithë banorët.

“Këta janë me VMRO-në, ne jemi me popullin! Populli do t’ju ndëshkojë me votë të lirë, sepse Saraji nuk është as për servilë e as për uzurpatorë”, përfundon mesazhin Alili, duke ftuar në mënyrë simbolike përballje në “Mejdan”.

Ky reagim vjen në një kohë kur skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po përjeton ndarje të thella dhe përballje të ashpra, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit.