Imet Shtrajku, kryetar i këshillit vendor të BESA në fshatin Rashçe dhe pjesë e koalicionit VLEN, nga sot ka zyrtarizuar kalimin e tij në Aleancën Kombëtare për Integrim (AKI).

Në një deklaratë publike, Shtrajku theksoi se ky vendim është marrë pas një analize të gjatë dhe me bindjen se vetëm përmes një angazhimi të bashkuar ndër shqiptarë mund të sigurohet përfaqësimi i drejtë politik dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare.

“Vendosa të bashkohem me Aleancën Kombëtare për Integrim sepse besoj se është nevojë e kohës që shqiptarët të qëndrojnë të bashkuar. Vetëm kështu mund të ndalet nënçmimi që na bëhet si komb dhe të kthejmë dinjitetin tonë politik e kombëtar”, u shpreh Shtrajku.

Ky hap shihet si një zhvillim i rëndësishëm në skenën politike shqiptare, ku gjithnjë e më shumë struktura e individë po i bashkohen Aleancës Kombëtare për Integrim, duke e parë atë si adresën politike që garanton unitet dhe përfaqësim të drejtë.