Përvjetori i 60-të i tërmetit është përkujtuar me një sërë manifestimesh që kanë nisur të martën në mbërmje në parkun “Ibni Pajko”, me koncert “ evergreen”, për të vijuar me ekspozita “Shkëlqimi dhe rënia e Shkupit”, seanca në Parlament…, e të tjera

Evis HALILI 

Shkup, 26 korrik – Në orën pesë e 17 minuta, më 26 korrik të vitit 1963 Shkupi u lëkund nga tërmeti fatal që i mori jetën 1070 personave, tre mijë u lënduan, shkatërroi 15.800 apartamente dhe dëmtoi 28 mijë objekte, mbi 200.000 njerëz mbetën të pastrehë. Përvjetori i 60-të i tërmetit është përkujtuar me një sërë manifestimesh që kanë nisur të martën në mbrëmje në parkun “Ibni Pajko”, me koncert “ evergreen”, për të vijuar me ekspozita si “Shkëlqimi dhe rënia e Shkupit”, përmes objektivit të Kiro Georgievskit, punonjës i Bashkisë në vitet 1950, seanca në Parlament…, e të tjera. Ndërsa u vendosën lule para monumentit të viktimave të tërmetit. “Kjo ditë do të jetë përgjithmonë e gdhendur në kujtesën kolektive të Shkupit, në këtë ditë kujtojmë viktimat, por shprehim edhe mirënjohjen tonë për të gjithë ata që morën pjesë në shpëtimin e jetëve nga nën rrënoja. Shkupi nuk do ta harrojë kurrë humanizmin e treguar nga bota”, u shpreh kryetarja e Qytetit të Shkupit Danela Arsovska.

Solidariteti i treguar nga e gjithë bota 60 vjet më parë gjatë ridnërtimit të qytetit të shkatërruar nga tërmeti u kthye në një simbolikë, që sot e dëshmojnë ndërtesat e ngritura si si dhuratë me dashuri për Shkupin, shkruan ministrja e Kulturës Bisera Konstadinova Stojçevska. Ministrja thekson se “për fat të keq, në dekadat që pasuan, Shkupi përjetoi edhe një tërmet ideologjiko-politik të shkaktuar nga të vetëshpallurit kuazi urbanistë dhe kuazi inxhinierë identitar përmes projektit “Shkupi 2014”. “Ata e kanë shkëputur qytetin nga lidhja e tij organike me historinë shekullore, të njohur të një qyteti me një mjedis urban të hapur dhe gjithëpërfshirës të kulturave dhe traditave të ndryshme. Ata thyen ritmin unik të një komuniteti miqësor dhe fqinjësor, në të cilin solidariteti është filli që lidh.Objektet e Shkupit 2014 janë si “zirkon” që mund të “shkëlqejnë”, por nuk është kështu. Ato zirkone kiç janë simbole të ndarjes dhe Shkupi nuk është në asnjë mënyrë i tillë”, ka shkruar ministrja. 

Tragjedia në Shkup aktivizoi shumë institucione ndërkombëtare. Kryqi i Kuq u bëri thirrje të gjitha organizatave që të mbledhin ndihma për fëmijët, sindikata ndërparlamentare u rekomandoi të gjitha parlamenteve dhe qeverive për të ndihmuar në rindërtimin e qytetit. Kombet e Bashkuara ndërmorën veprime për të planifikuar dhe ndihmuar qytetin e shkatërruar. 35 shtete kërkuan nga Asambleja e Përgjithshme që në rendin e ditës të seancës të vendosë një pikë për marrjen e masave me rastin e tërmetit në Shkup, ndërsa Asambleja e Përgjithshme nisi aksionin ndërkombëtar për dhënien e ndihmës për Shkupin. Më 14 tetor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri Rezolutën për t’i ofruar ndihmë qeverisë jugosllave në rindërtimin e Shkupit, duke shprehur keqardhjen për fatkeqësinë e madhe. Në debatin për dhënien e ndihmës për Shkupin, Asambleja e Përgjithshme dëgjoi prezantimin e përfaqësuesve nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Ajo ditë mbeti në analet e Kombeve të Bashkuara si Dita e Shkupit. (koha.mk)