Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimi të zhvilluar në Bled të Sllovenisë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai ka treguar se me diplomatin sllovak kanë folur për mundësinë për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Themelore.
Sipas tij, “me procesin e ri-fokusuar të zgjerimit të BE-së, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke, de-jure dhe de-facto”.
Nga kryeministria u tha se ata diskutuan për procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj pa kushtëzime.
“Kryeministri tha në dritën e fjalimit të presidentit të Këshillit Evropian për integrim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është e rëndësishme që të ketë avancim drejt normalizimit të plotë me njohje reciproke”, thuhet në njoftimin e Qeverisë Kurti.
“Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, Kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet të ju prij një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike”.
Po ashtu u tha se aty u diskutua edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit.
E, Lajçak me anë të një postimi në X ka theksuar se pati në takim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë.
“Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, shkroi ai në platformën “X”.
