Shkup – Koment nga Lirim Dullovi

Në një analizë të drejtpërdrejtë dhe therëse, analisti Lirim Dullovi i është rikthyer fenomenit të shqiptarëve të “VLEN-it”, të cilët i përshkruan si “AAA” – Autonomë, Autoktonë dhe Autentikë – por në funksion të përçarjes kombëtare dhe shërbimit të interesave antishqiptare.

Sipas Dullovit, këta përfaqësues të VLEN-it nuk kursejnë asnjë figurë shqiptare: kritikojnë Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe sulmojnë ambasadorin shqiptar në Shkup, duke u sjellë si “të mbrojtur” nga ndonjë rend tjetër politik, me autoritetin e përhershëm të Hristijan Mickoskit.

“Ndryshe nga shqiptarët e Kosovës që janë proamerikanë, apo ata të Shqipërisë që janë proevropianë, kjo kategori e re shqiptari është diçka tjetër: tradicional, familjar, me opingat në zemër dhe me Mickovskin në shpirt,” shkruan ai me ironi therëse.

Dullovi kritikon ashpër mënyrën se si këta përfaqësues të VLEN-it janë bërë instrument në duart e VMRO-së, duke marrë “bekimin” për qeverisje, përzgjedhje kandidatësh e deri në organizimin e pushtetit vendor – të gjitha me dirigjimin e shefit të tyre, Mickoski.

Ai ironizon faktin se tani kjo garniturë politike shqiptare gëzon përkrahjen e hapur të koalicionit “VLEN-VMRO-ZNAM” dhe, më paradoksalisht, edhe përkrahje nga LSDM në opozitë. Një përqafim që, sipas analistit, përfaqëson sinqeritetin e interesave maqedonase për shqiptarët që kanë harruar misionin e tyre.

Në fund, Dullovi ka një mesazh të qartë për ambasadorin shqiptar në Maqedoni të Veriut, z. Mejdani: “Mos guxoni të interesoheni për këtë kategori shqiptari. Rrezikoni të akuzoheni për ndërhyrje në punët e brendshme të VLEN-it dhe Mickoskit!”