Ish ministri drejtësisë, Krenar Lloga përmes një postimi në profiline tij shpreh ngushllime për ndarjen nga jeta të Tahir Hanit duke e përshkruar si një njeri me vlera të larta kombëtare.
Sot është ndarë nga jeta veprimtari dhe politikani më i urtë ndër ne, Tahir Hani, njeriu i orës kombëtare.
E njoha si ish-të burgosur politik, si kryetar komune, drejtor, zëvendësministër, ministër, deputet, koordinator dhe së fundi si zëvendëssekretar i Qeverisë. Jeta politike disa herë na kishte bashkuar e ndarë, por ajo kombëtare na gjente gjithmonë në të njëjtën anë.
Tahiri do të mbahet mend si një luftëtar i çmuar që nuk zmbrapsej asnjëherë, edhe kur i ngadalësonin hapin, e kundërshtonin apo e pengonin. Ai ishte një opozitar i urtë dhe shembullor, por i tillë ishte edhe si pushtetar. Arroganca, agresiviteti dhe inati – vese të politikës ballkanike e shqiptare – nuk gjetën kurrë vend në të, dhe kjo e bën atë të rrallë ndër ne.
Unë e njoha nga afër dhe ai la një gjurmë të pashlyeshme në mua. Në vitin 2013, në raundin e dytë dhe të tretë të zgjedhjeve lokale në Strugë, ai ishte kokë e këmbë i angazhuar që ajo komunë të vazhdonte të fliste shqip dhe të mbështeste një oponent politik me të cilin ai kishte pasur shumë debate. Tahiri ndihmoi në zonën më të nxehtë, atë të fshatrave Oktisi, Podgorcë e Labunishtë. Ai ishte i vetmi që shmangu tragjedinë dhe përplasjen me policinë e paramilitarët në fshatin Vranisht në atë kohë.
Pas atij viti, jeta na takonte më shpesh, ndanim mendimet dhe idetë tona, biles humori i jepte drejtim bisedave kur ngecnim e nuk gjenim dalje si ta bejmë më mirë, por une i jam mirënjohës dhe falemnderues që nuk mungoj edhe në momentet e vështira për mua dhe familjen time.
Rrugëtimi ynë politikë na gjeti gjatë këtyre dy viteve të fundit në të njëjtën anë të istikameve politike dhe kombëtare.
E kam thënë për së gjalli të tij dhe e rithem edhe tani, që Tahiri nuk është më mes nesh: Unë pata nderin, mundësinë dhe krenarinë të punoja e bashkëpunoja me të.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe shokët e tij.
Lavdi Tahir Hanit!
Zoti e shpërbleftë me Xhenet!
