Përfaqësuesit LSDM-së dhe BDI-së gjatë ditës së djeshme kanë mbajtur takim, ku është biseduar se si të dalin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Jozyrtarisht, siç mëson TV21, është diskutuar për të ashtuquajturin Front Europian, i cili do të përbëhej nga partnerët e tanishëm të koalicionit, LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët. Është negociuar që së bashku të dalin në zgjedhjet parlamentare me lista të përbashkëta.
Sipas burimeve tona, vlerësimet e LSDM-së janë se nëse pranohet propozimi i tillë, Fronti Europian mund të vijë deri te fitorja, përkatësisht të fitojë shumicën parlamentare në zgjedhjet e ardhshme. Ky koalicion sipas bisedimeve dhe analizave partiake mund të fitojë 55-65 mandate deputetësh.
Sipas burimeve partiake, një grup i LSDM-së ka tre propozime deri te BDI-ja. Propozimi i parë është që BDI të heq dorë nga kryeministri teknik dhe qeveria teknike, përkatësisht të mos ketë kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të Qeverisë. Propozimi i dytë është që të bëhen lista të përbashkëta për zgjedhjet e ardhshme parlamentaredhe propozimi i tretë – të mbështetet një kandidat të përbashkët në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Jozyrtarisht, BDI është kundër propozimit të tillë, përkatësisht të heqin dorë nga kryeministri teknik dhe insiston që BDI të marrë postin e kryeministrit për 100 ditët e fundit të qeverisë.
