Katër shqiptarë të tjerë janë evakuuar me sukses nga Izraeli, duke e çuar në nëntë numrin total të shqiptarëve të evakuuar përgjatë një jave.
Lajmin e ka njoftuar këtë të hënë (23 qershor) Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, i cili ka sqaruar se evakuimi i katër shqiptarëve është kryer përmes Jordanisë dhe Egjiptit, ndërsa garantoi ndjekjen me përparësi të çdo rasti të shqiptarëve të prekur të cilët kërkojnë asistencë nga MEPJ.
“4 qytetarë të tjerë shqiptarë janë evakuuar me sukses nga Izraeli – dy përmes Jordanisë dhe dy përmes Egjiptit – të cilët gjendeshin atje për arsye profesionale dhe familjare. Falënderojme autoritetet Izraelite, Jordaneze, Egjiptiane dhe Ambasadën Austriake në Tel Aviv për koordinimin e ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro. Vijojmë të ndjekim me përparësi çdo rast të qytetarëve shqiptarë të prekur, të cilët kërkojnë asistencë nga institucionet tona.”, shkruan Hasani në rrjetin social Facebook.
Më 18 qershor, mbërritën në Tiranë 4 shtetas shqiptarëtë cilët gjendeshin në Izrael për arsye familjare e profesionale, ndërsa një tjetër qëndroi në Greqi pasi ishte rezident në këtë shtet.
Kujtojmë se për shkak të luftës Iran-Izrael, qindra shtetas nga Ballkani janë evakuuar nga Tel-Avivi.
Evakuimet e fundit vijnë pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, që ka detyruar vendet nga gjithë bota për largime masive si pasojë e bombardimeve të përditshme në të dyja shtetet e Lindjes së Mesme.
Greqia raportoi disa ditë më parë riatdhesimin e 105 qytetarëve të vetë të bllokuar prej ditësh në Tel-Aviv.
Edhe Maqedonia e Veriut ka pritur disa shtetas të evakuar me një avion qeveritar nga Izraeli. Serbia po ashtu evakuoi me sukses disa shtetas nga Izraeli, ndërsa Ministria e Jashtme e Malit të Zi apeloi qytetarët malazezë që të shmangin udhëtimet në Izrael edhe Iran deri në një njoftim të dytë “për shkak të situatës së përkeqësuar dhe rritjes së rrezikut ndaj sigurisë vetjake”.
