Alyaksandr Lukashenka, lideri de fakto i Bjellorusisë, është duke e përgatitur një kurth, thonë kundërshtarët e tij, për ata të cilët ikën jashtë vendit për të shpëtuar nga sundimi i tij shtypës.
Ambasadat bjelloruse nuk do të lëshojnë më e as nuk do t’ua vazhdojnë pasaportat shtetasve të vet që jetojnë jashtë vendit, sipas një dekreti të ri të publikuar nga Lukashenka më 4 shtator. Nëse iu nevojitet një dokument, bjellorusët do të detyrohen të kthehen në atdhe për ta marrë.
Kritikët druhen se forcat e sigurisë së Bjellorusisë do të jenë duke pritur. Besohet se rreth 200.000 – 300.000 bjellorusë e kanë braktisur vendin që nga gushti 2020, kur Lukashenka u emërua president për mandatin e gjashtë pesëvjeçar, pas zgjedhjeve të cilat u dënuan nga shumë si të montuara.
Zgjedhjet e nxitën një valë protestash të cilat u shtypën nga forcat e sigurisë së Lukashenkas. Qindra njerëz u arrestuan, shumë prej tyre u torturuan, dhe disa vdiqën gjatë shtypjes. Liderët opozitarë u arrestuan, shumë prej tyre u burgosën. Të tjerët ikën.
Perëndimi nuk ka pranuar ta njohë Lukashenkan si president të ligjshëm të Bjellorusisë.
Grupi bjellorus për të drejtat e njeriut, Vyasna, thotë se më shumë se 1.500 njerëz po mbahen prapa grilave në Bjellorusi si të burgosur politikë.
Liderja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila iku në Lituani pasi e sfidoi – dhe sipas shumë njerëzve e mposhti – Lukashenkan në zgjedhjet e 2020-ës, i paralajmëroi bjellorusët duke folur për Associated Press më 4 shtator se “edhe nëse pasaportës suaj i skadon afati, ju nuk duhet të ktheheni në atdhe nëse rrezikoheni nga përndjekja”.
Kundërshtarët dhe aktivistët thonë se këto masa të reja janë përshpejtim i përpjekjeve të regjimit të Lukashenkas për arrestimin e kundërshtarëve. Ndalimi i bjellorusëve, të cilët kanë jetuar jashtë vendit dhe janë kthyer në atdhe, është rritur këtë vit, thonë ata.
Aktivistët parashikojnë se kjo mund të ndikojë që më shumë bjellorusë të bëjnë kërkesë për azil apo për pasaportë të re në vendet ku banojnë, apo mbase të zgjedhin “pasaportë të re kombëtare”, që së voni u shpalos nga opozita bjelloruse në mërgim, e cila ende nuk njihet ndërkombëtarisht, megjithatë.
Dënimi i vendimit të fundit të Lukashenkas, i shpejtë dhe i madh
“Njoftimi rreth planeve për pezullimin e shërbimeve të pasaportës për bjellorusët, që jetojnë jashtë vendit, është një tjetër masë shtypëse për t’i kontrolluar dhe kufizuar ata”, tha Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bjellorusi në X, rrjetin social të njohur si Twitter më parë.
“Ky vendim i fundit drakonian nga Qeveria e Bjellorusisë është hakmarrje kundër kritikëve të saj në mërgim”, tha Anastassia Kruope, hulumtues për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch (HRW).
“Ata që detyrohen të kthehen në shtet për të marrë dokumente themelore do të jenë në rrezik për t’u arrestuar dhe përndjekur politikisht”.