Afati për përfundimin e ndërtimit të Qarkores së Tetovës nga Treboshi në Neproshten është shtyrë për herë të tretë. Ndonëse kjo rrugë duhej të ishte gati në maj 2025 afati i përfundimit është shtyrë tre herë, afati i ri është gushti 2026, shkruan Portalb.mk.
Ndonëse në shkurt 2024 u promovua me shumë vrull nga funksionarët qeveritarë dhe partiakë, punimet në terren për qarkoren e Tetovës nuk ecën në të njëjtën formë.
Afati i punimeve aso kohe u tha se ishte 15 muaj dhe pritej që në maj 2025 të lëshohej në përdorim.
Por, një vit më vonë, në mars 2025 u njoftua se afati i përfundimit të punimeve ishte shtyrë për në tetor 2025.
Më pas, në nëntor 2025 u njoftua se afati është shtyrë për në maj 2026.
Por as në këtë afat punimet nuk përfunduan sipas premtimeve.
Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore e konfirmuan për Portalb.mk se afati i përfundimit të ndërtimit është zgjatur për në gusht 2026, pra edhe tre muaj të tjera.
Momentalisht po punohet në lidhjen me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, konkretisht në fshatin Neproshten.
Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore thonë se projekti është në fazë të avancuar të realizimit.
“Për shkak të paraqitjes së punimeve të paparashikuara dhe moszgjidhjes së marrëdhënieve pronësore-juridike për një parcelë, afati i përfundimit është shtyrë deri në gusht të vitit 2026”, thanë nga NP “Rrugët Shtetërore”.

Nëse ky projekt do të përfundojë në këtë afat, i bie që të përfundojë dy vite e gjysmë që nga promovimi i projektit.
Qarkorja planifikohet të ndërtohet nga fshati Trebosh dhe të del në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup.

Rruga pritet të jetë e gjatë 5.4 kilometra me gjerësi 6.6 metra. Gjithashtu është e planifikuar për tërë gjatësinë e rrugës së qarkores në të dy krahët e rrugës të ketë rrugë ndihmëse të tamponuara të servisuara për mjetet të cilat merren me bujqësi me gjerësi prej 3 metra.
Kjo rrugë pritet të lehtësojë komunikacionin për banorët e komunave Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Jegunovcë të cilët nuk do duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur me rrugë të tjera rajonale.
Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunovcë dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës.
