Rëndom Manastiri gjallërohet në fundnëntor, e kësisoj ka ngjarë, të martën, një ditë para asaj që zyrtarisht shënohet si Ditë e Alfabetit, kur është mbajtur konferenca shkencore dhe është hapur e para bibliotekë e librit shqip në këtë qytet me peshë për historinë shqiptare. Është nismë e studentes Emira Selimi, e konkretizuar pas një viti sfidash

Festive ka qenë e marta në Manastir, kur është shënuar 115-vjetori i Kongresit, kthesë në historinë shqiptare. Rrallë ndodh që në përvjetorë të kësaj ngjarjeje, qyteti në Maqedoninë e Veriut të frymojë shqip. Kësaj radhe ka qenë ndryshe. Një konferencë shkencore dhe hapja e bibliotekës së parë të librit shqip në këtë qytet kanë qenë ngjarjet kryesore që kanë bërë bashkë edhe zyrtarë shtetërorë, në mesin e të cilëve presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Biblioteka është konkretizim i nismës së studentes shqiptare Emira Selimi. I është prerë shiriti një ditë para se zyrtarisht të shënohet Dita e Alfabetit – jo si institucion shtetëror – pas një viti përpjekjesh të nismëtares së projektit. Zë vend jo larg Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë e hapur në nëntorin e vitit 2019, afër Pallatit të Kulturës, ku është mbajtur konferenca shkencore. Aty, presidenti Begaj ka adresuar disa mesazhe.

“Kjo ditë është e rëndësishme, jo vetëm sepse ata burra u mblodhën dhe vendosën për gjuhën dhe alfabetin, por edhe sepse shërbeu në njëfarë mënyre si formësim për shtetin e ardhshëm shqiptar”, ka thënë presidenti Begaj.

Është zotuar se përherë do të jetë në Manastir, të cilit i ka dhënë disa epitete.

“Një vend pelegrinazhi ku të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen me njëri-tjetrin dhe ta festojnë atë që është më e rëndësishme për një komb, gjuha dhe kultura”, ka qenë njëri prej tyre.

Shoqëruar nga liderët shqiptarë vendas ka folur edhe për rëndësinë e Muzeut të Manastirit, duke ua kujtuar autoriteteve vendase neglizhencën e treguar deri më tani ndaj Muzeut dhe imazhin që reflekton godina e muzeut tash e disa vite.

“Besoj se mirëmbajtja dhe kujdesi ndaj Muzeut të Kongresit të Manastirit duhet të jenë në vëmendjen e qeverive tona, përkujdesja për simbolet tona kombëtare, ndërtesa e muzeut duhet të jetë parësore. Kjo është përgjegjësia jonë përpara historisë dhe përpara së ardhmes”, ka thënë Begaj.

Shtëpia e Alfabetit shpeshherë ka qenë shënjestër e sulmeve huligane, ku shpesh demoloheshin dritaret dhe dyert e hyrjes së këtij objekti. Në vitin 2016 u ngjitën edhe mbishkrime me thirrjet “vdekje për shqiptarët”.

Shqipja është margjinale në qytet. Folës ka përditë e më pak. Libri shqip s’është i pranishëm, por ka qenë studentja Emira Selimi e cila nuk ka hequr dorë prej nismës së saj për hapjen e bibliotekës së parë me botime në shqip. Jo pak e emocionuar ka qenë kur bibliotekës i është prerë shiriti në 115-vjetorin e Alfabetit shqip. Ka kujtuar sfidat për ta konkretizuar nismën.

“Kam hasur në shumë vështirësi, emri im është lakuar shumë herë nga dashakeqës të shumtë vetëm për ta njollosur idenë e pastër dhe qëllimin tim fisnik. Gjatë kësaj periudhe jam përballur edhe me probleme shëndetësore, me shpifje e me kërcënime dhe gjithçka tjetër. Por, nuk jam dorëzuar dhe sot po e finalizoj atë që e kisha qëllim jetësor, të kontribuoj për kombin dhe popullin tim shqiptar”, ka thënë studentja nga Shkupi.

Në një prononcim për KOHËN ka thënë se deri te hapja e bibliotekës ka qenë një rrugëtim i gjatë.

“Ndoshta as dhjetë fakultete nuk do të ma kishin dhënë eksperiencën më të fortë sesa kjo nismë. Një rrugëtim shumë i gjatë. Njerëz që shumë më kanë tradhtuar. Kam besuar shumë, jam zhgënjyer shumë. Shumë herë më është thyer shpirti”, ka thënë ajo.

Emira Selimi një vit më parë e vetme do të synonte hapjen e bibliotekës së librit shqip në Manastir. Nuk do të gjente përkrahje prej institucioneve lokale e qendrore. Kur e lansoi thirrjen, iu përgjigjën disa botues që i dhuruan libra. Botimet KOHA qe në mesin e të parëve që e përkrahën.

Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, e mbajtur prej 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Data 22 nëntor përbën tashmë një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tri qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë: Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani.

I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse. Aty në nëntor të vitit 2009 me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë u themelua si institucion nacional

“Muzeu i alfabetit të gjuhës shqipe” për mbrojtjen, hulumtimin, mbledhjen, rregullimin dhe përpunimin profesional e shkencor, si dhe studimin e objekteve muzeore, që janë të rëndësishme për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në dhjetorin e vitit 2010 “Muzeu i alfabetit të gjuhës shqipe” – Manastir, u regjistrua në Regjistrin qendror të Republikës së Maqedonisë.