📍DEMANTIM ZYRTAR nga Komuna e Sarajit📍
Me indinjatë të thellë, demantojmë kategorikisht shpifjet dhe manipulimet që po përhapen nga përfaqësuesit jolegjitimë të qeverisë VLEN, të cilët po përdorin metoda të ulëta për të mashtruar opinionin publik. Këto sulme të pamoralshme nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje të mjerueshme për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet dhe keqpërdorimet flagrante që ndodhin në komunat që ata vetë i drejtojnë.
Objekti që po përmendet në mënyrë të padrejtë është ndërtuar në përputhje të plotë me të gjitha normat ligjore, në mënyrë transparente dhe me përmbushje të të gjitha detyrimeve tatimore dhe ligjore ndaj shtetit.
Është e papranueshme që përfaqësues të një qeverie të sulmojnë investitorët që me ndershmëri dhe përkushtim kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe urban të vendit. Këto sulme janë jo vetëm të turpshme, por edhe të dëmshme për klimën e investimeve dhe besimin e qytetarëve.
Për sqarim të opinionit publik, theksojmë:
- Objekti ndodhet në një zonë me plan urbanistik të miratuar që nga 28.09.2010 (PLF / UPS Saraj).
- Plani është miratuar nga të gjitha institucionet kompetente, përfshirë Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.
- I njëjti plan është në përputhje me Planin Gjeneral Urbanistik të Qytetit të Shkupit 2012–2022.
- Leja për ndërtim është lëshuar konform Ligjit për Ndërtim dhe procedurat janë zhvilluar brenda kornizave ligjore.
Ndërkaq, inspektimet e shumta nga institucionet shtetërore nuk kanë konstatuar asnjë shkelje në ndërtimin e këtij objekti.
Ne mbetemi të përkushtuar ndaj transparencës, ligjshmërisë dhe zhvillimit të komunës, ndërsa i bëjmë thirrje opinionit publik të mos bjerë pre e inskenimeve të ulëta që synojnë të shkatërrojnë imazhin e investitorëve dhe institucioneve të ndershme.
