Shkup, 7 prill – Pikërisht më 3 prill të vitit 1936 është lëshuar në përdorim ujësjellësi nga Rashçja, një projekt madhor që ndryshoi përgjithmonë furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.

Që nga ajo ditë, uji nga ky burim natyror ka përfunduar në rezervuarin pranë Kalasë së Shkupit, duke u bërë burimi kryesor për mijëra qytetarë ndër vite.

Rashçja njihet për cilësinë e lartë të ujit dhe për kapacitetin e saj të madh, sidomos gjatë muajve të verës kur konsiderohet ndër burimet më të fuqishme në rajon. Sipas ekspertëve, ky burim renditet në mesin e tre më cilësorëve në Evropë.

Një nga veçoritë më të rralla është procesi natyror i filtrimit, i cili zgjat deri në 30 vite para se uji të arrijë për konsum. Ky proces garanton pastërti të lartë dhe cilësi të qëndrueshme.

Në këtë aspekt, vetëm Vjena njihet për një sistem më të avancuar, ku filtrimi natyror i ujit arrin deri në 100 vite.

Sot, pas gati një shekulli, burimi i Rashçes mbetet një nga asetet më të rëndësishme natyrore për Shkupin, duke vazhduar të furnizojë qytetin me ujë të pastër dhe të sigurt.