Shkup, 24 qershor, Deputetja e Frontit Europian, Arbana Pasholli, ka reaguar ashpër pas votimit të sotëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku shumica parlamentare me mbështetjen e koalicionit VLEN, ka votuar për heqjen e statusit juridik të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Pasholli thekson se ky veprim është i qëllimshëm dhe përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në vend.
“Ashtu siç e paralajmëruam që në fillim, me qasje tinzare siç është bërë praktikë, sot shumica parlamentare, me mbështetjen e VLEN-it, votoi për heqjen e statusit juridik të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo është goditje direkte ndaj të drejtave gjuhësore dhe një hap pas në respektimin e barazisë në këtë shtet,” ka shkruar Pasholli.
Ajo shton se shqiptarët meritojnë më shumë të drejta dhe kjo lëvizje përfaqëson një regres serioz në avancimin e barazisë së plotë në Maqedoninë e Veriut.
Reagimi i saj vjen në një moment kur tensionet politike rreth çështjeve të përfaqësimit dhe të drejtave gjuhësore kanë marrë hov, veçanërisht pas ndryshimeve të fundit në strukturat institucionale që prekin shqiptarët.

