Prokuroria e Lartë Publike e Manastirit në periudhën në vijim është udhëzuar që të bëjë kontrolle të shpeshta dhe të monitorojë procedurat në të gjitha rastet ndaj personave të përzgjedhur dhe të emëruar në prokuroritë publike themelore nën juridiksionin e saj.
Shkup, 11 korrik – Komisioni i Prokurorisë Publike ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme në punën e Prokurorisë Themelore Publike Strugë, Prokurorisë së Lartë Publike Manastir dhe Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha lëndët e parashtruara kundër personit Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës, si dhe në raste të ndërlidhura me punën e Komunës së Strugës gjatë periudhës kur ka mbajtur postin e kryetarit. Gjatë punës, Komisioni ka pasur një pasqyrë në gjithsej 30 lëndë të regjistruara, nga të cilat procedurat më të vjetra të përfunduara datojnë në vitin 2006, ndërsa në një pjesë të rasteve tashmë të zgjidhura, Komisioni u ka dërguar indikacione prokurorëve publikë lidhur me veprimet e tyre.
Prokuroria Themelore Publike në Strugë i udhëheq katër lëndë kundër personit të përmendur të themeluara nga fillimi i vitit, si dhe vepron në 2 lëndë në hetime paraprake nga viti 2021, të cilat kanë të bëjnë me projekte konkrete të Komunës së Strugës. Për katër lëndë të tjera në veprim (2 nga viti 2019 dhe 2 nga viti 2022), prokurorët publikë që kanë ndërmarrë veprime kanë marrë indikacione dhe udhëzime për të dinamizuar më tej procedurën.
Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka gjithsej 5 lëndë. Ndër to është edhe rasti me blerjen e kontestuar të veturave zyrtare në Komunën e Strugës, së cilës i bashkëngjiten iniciativa e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe raporti i Entit Shtetëror për Revizion, dhe në të cilin është miratuar aktvendim për një pjesë e akuzave, por pjesa tjetër është ende objekt kontrolli. Prokurorit publik kompetent i janë dhënë udhëzime për veprime të mëtutjeshme lidhur me këtë çështje.
Prokuroria e Lartë Publike e Manastirit në periudhën në vijim është udhëzuar që të bëjë kontrolle të shpeshta dhe të monitorojë procedurat në të gjitha rastet ndaj personave të përzgjedhur dhe të emëruar në prokuroritë publike themelore nën juridiksionin e saj.
Gjatë mbikëqyrjes, anëtarët e Komisionit kanë pasur biseda të drejtpërdrejta edhe me prokurorët publikë, të cilët janë pyetur se a kanë ndier presione në veprimet e tyre dhe nëse kanë pasur probleme gjatë zhvillimit të procedurës. Njëkohësisht, anëtarët e Komisionit apeluan prokurorët publikë kompetentë për shpejtësi më të madhe dhe i inkurajuan që të raportojnë çdo tentativë për kompromentimin e procedurave të zhvilluara në prokuroritë publike. Gjithashtu, prokurorëve publikë iu tregua edhe një herë rëndësia e madhe e transparencës dhe llogaridhënies në zhvillimin e të gjitha procedurave në interes të publikut. Prokuroria Publike, me detyrimin që të udhëhiqet nga parimi i prezumimit të pafajësisë, siguron opinionin publik se në të gjitha rastet aktive ndaj personit të përmendur do të ndërmerren veprimet e nevojshme dhe do të hetohen të gjitha rrethanat, si dhe çdo krim i konstatuar do të të mos mbeten pa ndjekje penale përkatëse.
Duke marrë parasysh të gjeturat nga mbikëqyrja e kryer, Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa masa shtesë me qëllim të forcimit të qëndrueshmërisë së sistemit të prokurorisë publike dhe shpejtësisë së veprimeve të prokurorit publik:
- a) Udhëzim me shkrim për të gjitha Prokuroritë Publike të Larta dhe Themelore për përditësimin e procedimeve në të gjitha rastet, veçanërisht në rastet që kanë të bëjnë me vepra penale në fushën e korrupsionit dhe në çështjet që kanë të bëjnë me zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar.
- b) Indikacion me shkrim Prokurorive të Larta Publike për kontroll të detyrueshëm të trajtimit të çështjeve ndaj personave të përzgjedhur dhe të emëruar gjatë çdo mbikëqyrjeje të rregullt në prokuroritë publike bazë në juridiksionin e tyre.
- c) Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të iniciojë takim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë Financiare, Entin Shtetëror të Auditimit, Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe autoritetet dhe institucionet tjera kompetente, me qëllim të aktivizimi i një fronti kombëtar për të luftuar korrupsionin. Në kuadër të kompetencave të veta si autoritet që drejton procedurën hetimore, Prokuroria Publike do t’u japë udhëzime specifike institucioneve të tjera të policisë gjyqësore që të dinamizojnë veprimet e tyre, të insistojnë në bashkëpunim dhe të kërkojnë që të gjitha institucionet e tjera të përgjigjen me përpjekjet maksimale dhe investimet në luftën kundër krimit.
- d) Do të iniciohet një takim me Asociacionin e Prokurorëve Publikë për të shqyrtuar mundësinë e krijimit të një kanali për raportimin e përpjekjeve për presion dhe ndikim te prokurorët publikë. Kjo do të hapë mundësinë e raportimit nga qytetarët, nga institucionet e tjera, por edhe nga vetë prokurorët publikë, ndërsa prokuroria do të vendosë mekanizma për kontrollimin e pretendimeve të tilla. (koha.mk)
