Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti i bën thirrje prokurorisë të dalë me emra dhe mbiemra konkret për skandalin e onkologjisë. Premton se gjërat do të përmirësohen, gjersa theksoi se më shumë preferon të jetë mjek, sesa politikan me kravatë.

“Edhe njëherë apeloj për Onkologjinë është koha që Prokuroria të dalë me emrin dhe mbiemrin e saktë, sepse ky kostum që shihni sot tek unë, kjo kravatë po më mbyt, sot ndihem më mirë këtu dhe kam emocione. Më lejoni t’ju them se manteli i bardhë më shkon dhe ju thashë që në ditën e parë që nuk preferoj të jem politikan, nga asnjë parti, por do të jem mjek dhe do të mbetem ashtu dhe bashkë me kolegët e mi dhe së bashku me ju do t’i përmirësojmë gjërat”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.,
Për kërkesën publike të Ministrit që të dilet me emra dhe mbiemra të të dyshuarve, pyetëm Prokurorinë Themelore, nga ku apeluan që politikanët të përmbahen dhe mos të përfitojnë qëllime politike nga ky rast i ndjeshëm.
“Prokuroria Publike zhvillon procedurë parahetimore dhe nuk vepron sipas kërkesave të personave të tjerë. Informacioni ndahet vetëm në masën që nuk do të dëmtojë procedurën. Prokurorët publikë punojnë në thelb dhe me përgjegjësi, duke respektuar të gjitha afatet ligjore. Prokuroria Publike apelon tek politikanët që të përmbahen nga përdorimi i kësaj lënde të ndjeshme për qëllime politike”, thonë nga Prokuroria.
Përveç procedurës parahetimore të prokurorisë, për skandalin në onkologji javën e kaluar përfundoi dëgjimi i dëshmitarëve nga komisionin anketues kuvendor. Kryeprokurori Ljubomir Joveski raportoi se rasti është duke u zhvilluar me themel dhe ekspertizë dhe se e vërteta do të dalë në shesh, por për shkak të hetimit, gjatë dëshmisë para deputetëve, nuk dha detaje.
